Aktualitet

Një provim shtesë për maturantët e vitit shkollor 2023 që do të vazhdojnë mjekësinë

Një provim shtesë për maturantët e vitit shkollor 2023

Procesi i provimeve kombëtare të maturës shtetërore për vitin shkollor 2022-2023 do të ndryshojë. Ministrja e Arsimit Evis Kushi tha se do të shtohet një provim, i cili fillimisht do të procedohet me maturantët që do të garojnë për mjekësi të përgjithshme.

“Kanë detyrim të japin edhe një provim tjetër, i cili është një provim që zhvillohet në mjediset e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, është provim i automatizuar, siç bëhet provimi i portalit, siç bëhen provimet e licencave, në mënyrë që të shmanget edhe gabimi edhe fiktiviteti”, tha Evis Kushi.

Drejtuesja e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Aurora Balliu foli për pjesën teknike të këtij testi, i cili do të do të mbulojë lëndët Biologji, Kimi dhe Fizikë.

“Testohen në të njëjtën kohë 100 aplikantë të cilët kanë të njëjtin test, sepse testin e gjeneron në mënyrë automatike sistemi. Do të jetë një test i ndarë në tre nivele ashtu sikurse edhe testi i maturës, ashtu sikurse edhe testet që ju bëni në shkollë janë të ndarë në tre nivele. Mendoj se do të kemi 50 pyetje 100 pikë njësoj si provimi i licencave.

Ministrja Kushi tha se do t’u jepet mundësia e rikorrigjimit të testit, gjë që nuk lejohej më parë.