Aktualitet

Një sqarim i thjeshtë nga ish-ministri për të gjithë ne që s’po e kuptojmë serialin me Brukselin për negociatat!

Një sqarim i thjeshtë nga ish-ministri për të gjithë ne

I shtyrë nga mesazhe miqsh për pyetje në lidhje me vendimin e negociatave, kushteve dhe disa precedentëve të rinj, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati është ulur e ka bërë një sqarim me 5 pika (duke i ndarë në numra latin) ku sqaron fije për pe çfarë duhet të dimë, çfarë s’duhet të ngatërrojmë dhe pse ato kushtet nuk janë fundin i botës. Pse Shqipëria mbetet një paciente e BE-së që s’po shërohet, etj.

Postimi i plotë:

PËRGJEGJSHMËRI, MATURI, UNITET

Shumë prej miqve më kanë shkruar e bërë pyetje me të drejtë lidhur me vendimin e BE-së për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë. Pyetje, të cilat vijnë për shkak të konfuzionit që është krijuar ndër vite me këtë proces, procedurave të koklavitura të vetë BE-së dhe leximit bardh e zi të politikës shqiptare, duke lënë në harresë interesin e qytetarëve.

Siç po dëshmon edhe lufta me virusin, një popullsi e informuar dhe vet-motivuar është arma më e fuqishme dhe efektive për ta mposhtur atë. E njëjta gjë vlen për proceset madhore siç janë reformat e domosdoshme që burojnë nga procesi i integrimit europian.

I.
Vendimi i sotëm konfirmon në thelb vendimin e 26 qershorit të vitit 2018, ku Vendet Anëtare të BE-së iu përgjigjen pozitivisht rekomandimit të Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë. Asokohe, Vendet Anëtare skicuan rrugën drejt zyrtarizimit të bisedimeve, përmes një procesi përgatitor dhe afatizimin e tij, duke përcaktuar Qershorin e 2019-ës si periudhën e zyrtarizimit të bisedimeve dhe fundin e 2019-ës për organizimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, që simbolizon nisjen e bisedimeve.

Për arsye që lidhen me debatet brenda BE-së rreth të ardhmes së projektit europian (sidomos pas BREXIT), kalendari i mësipërm nuk u respektua. Madje, vitin e kaluar, përjetuam momente dramatike kur për një çast u mendua se procesi i zgjerimit do të ndalonte deri ne reformimin e kërkuar për BE-në, sidomos nga Franca. Vështruar në këtë kontekst, vendimi i sotëm dëshmon gadishmërinë e BE-së për të filluar bisedimet për anëtarësim. Në kulmin e krizës së paprecedentë që po kalon njerëzimi, për shkak të virusit, vendimi i BE-së ka një vlerë politike të pamohueshme, pasi mban hapur derën e Bashkimit Europian, e për rrjedhojë mban “gjallë” procesin e zgjerimit.


II.
Vendet Anëtare sot përcaktuan edhe disa kushte që duhen përmbushur para mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Për përmbushjen e kushteve, Komisioni Europian do të raportojë sërish para Vendeve Anëtare. Në të vërtetë, një pjesë e këtyre kushteve që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, funksionimin e gjykatës kushtetuese, gjykatës së lartë dhe funksionimin e strukturave të specializuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk janë të panjohura. Ato, ne i kemi kthyer në “detyra shtëpie” në Rezolutën që miratuam në Kuvend “Për mbështetjen e procesit të fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, më 3 Tetor 2019. Na duhet t’i rikthehemi pikërisht angazhimeve që kemi ndërmarrë në këtë dokument, të përfitojmë nga ekspertiza e çmuar e Komisionit të Venecias dhe përmes bashkëpunimit politik dhe mirëkuptimit institucional të adresojmë qoftë çështjet që kanë të bëjnë me funksionimin e gjykatës kushtetuese dhe asaj të lartë, ashtu dhe të përmirësojmë ligjin për median.

III.
Konferencës së Parë Ndërqeveritare i paraprin përgatitja nga ana e Komisionit Europian dhe miratimi nga Vendet Anëtare të BE-së të dokumentit të “Kuadrit Negociues”. Ky dokument përcakton parimet, thelbin dhe procedurat mbi të cilat do të zhvillohet negociimi. Pra, jo thjesht për Konferencën e Parë Ndërqeveritare apo negociimin e kapitujve të grupuar (clusters). Si ta kuptojmë këtë? Meqë jetojmë në kohë pandemie edhe shembullin po e marr nga shëndetësia. Në mënyrë simbolike, nëse BE-në do ta krahasonim me një trupë vendimmarrëse mjekësore, Komisionin Europian me mjekun specialist dhe Shqipërinë me pacientin, në dokumentin e “Kuadrit Negociues” përvijohet protokolli i shërimit që duhet të ndiqet nga pacienti në mënyrë që të shërohet. Edhe këtu Vendet Anëtare kanë përcaktuar një listë me çështje, adresimi i të cilave nga ana e Shqipërisë duhet të reflektohet në dokumentin e “Kuadrit Negociues” që Komisioni do të paraqesë para Vendeve Anëtare. Këto çështje duhen konsideruar si detajim i përmbushjes së 5 prioriteteve, të cilat në një mënyrë a tjetër do ta shoqërojnë Shqipërinë për gjatë gjithë procesit të anëtarësimit në BE. Për të trajtuar këto çështje nevojitet bashkëpunim politik dhe mirëkuptim institucional.

IV.
Vendet Anëtare të BE-së nuk kanë përcaktuar një datë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, por kanë preferuar formulimin se një gjë e tillë do të ndodhë “sa më shpejt që të jetë e mundur, pas miratimit të Kuadrit Negociues nga Këshilli”. Një formulim i tillë pa datë dhe precedenti i vendosur nga BE-ja që shoqëron miratimin e Kuadrit Negociues dhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me përmbushjen e një liste me detyra apo kushte nuk është fundi i botës. Përkundrazi është motivim për më shumë reforma të qëndrueshme.

V.
Nuk është në interesin tonë të analizojmë shqetësimet, paragjykimet apo precedentet e rinj që vendosën në këtë proces, në disa raste padrejtësisht e në kurriz të pritshmërive dhe ëndrrave tona për ta bërë një orë e më parë Shqipërinë vend anëtar të BE-së. Por, duhet ta nisim nga vetja. Sepse që nga viti 1991 e deri më sot, mungesa e bashkëpunimit politik dhe mirëkuptimit institucional është një fakt kokëfortë pengues për çlirimin e potencialit të Shqipërisë në këtë proces. Sot më shumë se kurrë, duhet të dëshmojmë PËRGJEGJSHMËRI, MATURI, UNITET!