Aktualitet

Një vit nga dita kur humbi gruan, vajzën dhe mbesën, i mbijetuari i tërmetit tregon pengun e asaj nate dhe si gjeti kurajën për të vazhduar jetën

Një vit nga dita kur humbi gruan, vajzën dhe mbesën, i mbijetuari

Sot u bë një vit nga dita kur Ajet Meçaj humbi bashkëshorten 59 vjeç, vajzën e tij 30 vjeç dhe mbesën e vogël vetëm 8 vjeçe, nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit dhe ishte i vetmi në shtëpinë e tij që mbijetoi. Me lot në sy Meçaj thotë se nga ajo natë humbi dëshirën për të jetuar. Pengu i tij mbetet pse nuk mori vendimin për t’u larguar nga shtëpia, por gjërat nuk zhbëhen dhe Meçaj thotë se do të jetojë për të respektuar ato, për djalin dhe për dy mbesa tjera.

Një vit nga dita kur humbi gruan, vajzën dhe mbesën, i mbijetuari

“Është një vit që më ka shkurtuar jetën, një vit pa gjumë ditë natë. Ua them me sinqeritet, me dashurinë e një prindi e një gjyshi që nuk ka ditë që t’i kujtoj ata, është stakuar truri atje. Kujtoj ata ….në darkë i ke të gjithë ata je i lumturi i botës, çohesh një moment kur t’i çohesh një moment dhe nuk ke asgjë, është tragjedi se i humba padrejtësisht. Humba mbesën e vogël që e rritëm me sakrificë të madhe.

Humba gruan 59 vjeç, vajzën 30 dhe mbesën 8 vjeç. Unë ndodhesha në apartament, kam dëgjuar tërmetin e parë kam dëgjuar se vajzat dhe gruaja vrapuan drejt derës për të dalë, ndërsa mua mu bllokua dera dhe ngela i bllokuar në dhomë, por mbijetova. Po të më pyesësh se si dola nuk e di, vetëm kur kam dalë pash që pallati nuk ekzistonte. Familjarët ishin brenda dhe mbaj mend vetëm mbesën që më thërriste gjyshi dhe vajzën Dienën që më thërriste babi më shpëto, por shpëtimi nuk erdhi asnjëherë. Nëse do të kishte ndërhyrje të menjëhershme nga forcat e kërkim shpëtimit vajzat duhet të kishin shpëtuar se bashkëshortes i kishin rënë materiale në kokë. Pengu më i madh ishte pse unë nuk mora vendim që të iknim, atë natë nuk kemi lëvizur.

Jetoj mes Durrësit dhe fshatit, merrem me ndonjë gjë humba mendjen, pasi bukuria e jetës mbaroi. Por është mbështetja shoqërore dhe e të afërmve që më ndihmojnë dhe më japin forcë për të bërë përpara. Nuk vdes dot me zor, thua se do të jetoj për të respektuar ato, për djalin dhe për dy mbesa tjera. Jetën do ta bëjmë si t’i vijë.

7 viktima nga pallati humbi dhe një familje tjetër i them vetës pse nuk ngela dhe unë brenda dhe të ishte mbyllur historia”, tregon ai për ‘Abc News’.

Nga tërmeti i një viti më parë humbën jetën 51 persona, ndërsa qindra të tjerë mbetën pa shtëpi.