Aktualitet

Nuk e di pse Top Channel vazhdon e spekulon! Rama shton dhe pronarin e Panorama në replikë

Nuk e di pse Top Channel vazhdon e spekulon! Rama shton dhe pronarin e Panorama

Top Channel dhe mediat e drejtuara nga Irfan Hysenbelliu kanë publikuar artikuj ku flasin për sulmin kibernetik ndaj e-albania.

Sipas këtyre mediave, burime konfiedenciale e të besuara të tyre thonë se janë publikuar të dhëna sekrete mes institucionesh shqiptare, ku ndërkaq AKSH-i (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) funksionon me një pjesë të shërbimeve, por jo plotësisht.

Ndërkohë Kryeministri po e mban vetë debatin dhe përgjegjësinë.

Në një përgjigje në Twitter ai thotë se nuk e di arsyen pse televizioni kombëtar Top Channel vazhdon e spekulon dhe vijon se e kupton disi më shumë pse e bën atë media e një biznesmeni të kapur për evazion fiskal, duke nënkuptuar emrin e biznesmenit Irfan Hysenbelliu.

Postimi i plotë i Kryeministrit Edi Rama:

Se cila është arsyeja që Top Channel vazhdon spekullon papërgjegjshmërisht, pa asnjë bazë, provë, fakt, mbi zhvillimet në frontin e luftës kibernetike, këtë nuk e di! Ndërkohë arsyeja pse mediat e një biznesmenit të kapur me evazion masiv bëjnë të njëjtën gjë, kuptohet më lehtë!

Lajmi i mirë është se agresioni është zmbrapsur me sukses nga një superskuadër shqiptaro-amerikane, se asnjë e dhënë nuk është fshirë, se shërbimet publike janë kthyer në punë! Vazhdon operacioni i forcimit të mureve mbrojtëse dhe hetimit për identifikimin e sigurtë të agresorit!

E gjithë ngjarja do t'i raportohet publikut nga ekspertët, sapo të ndizet drita jeshile e përfundimit të proceseve shembullore që po kryhen nga superskuadra e angazhuar në këto operacione. Keqardhje e madhe për keqtrajtimin që i bëhet publikut për interesa pronarësh në media.