Aktualitet

Nuk është presion të kërkosh lekët e tua! Naftëtarët i përgjigjen Ramës: Sill një grup negociator dhe ta zgjidhim

Nuk është presion të kërkosh lekët e tua!

Ndërsa i drejtohen kryeministrit se greva e tyre e urisë nuk është presion, naftëtarët e Ballshit thonë se gjithçka duan është që negociatat të bëhen në aty në Uzinën ku edhe po qëndrojnë prej ditësh.

Nga mjediset e grevës, gratë e naftëtarëve i kanë kthyer përgjigje Ramës ndërsa thanë se kërkojnë që të ngrihet një grup negociator dhe të zgjidhet çështja e pagave të papaguara.

“Nuk është presion kërkesa jonë, të kërkosh lekët nuk është presion. Sot jemi në gjendje të rënduar, besojmë se do të gjejmë një zgjidhje. Kemi ndjekur mesazhet e kryeministrit, jemi të gëzuar që herë pas herë po bën mesazhe për negociata. Por mendojmë të krijojë një grup negociatar, të vijë këtu në Uzinë edhe ta gjejmë zgjidhjen këtu. Kemi besim se kryeministri po reagon”, janë shprehur ato.

Një ditë më parë Rama u bëri thirrje që të dalin nga greva e urisë dhe se kjo cështje nuk zgjidhet me presion e me ultimatume, pas kësaj naftëtarët iu përgjigjën duke thënë se refuzojnë që të lënë grevën, duke e ftuar që bisedimet të bëhen në dhomën ku aktualisht po mbahet greva, se po u larguan do t’i harrojnë.