Aktualitet

Drejtori i Gjendjes Civile: S'ka ndryshime për qendrën e votimit, vendbanimi aty ku je dhe jo ku të pëlqen

Drejtori i Gjendjes Civile: S'ka ndryshime për qendrën e votimit,

Drejtori i gjendjes civile reagon pas denoncimit të PD se qytetarëve po u ndryshohet gjendja civile për shkak të zgjedhjeve. Drejtori Bledar Doracaj kërkoi që të gjithë ata që janë përdorur politikisht nga PD, të futen në portalin E-Albania dhe të verifikojnë zonën e tyre me qendrën e votimit, duke theksuar se do të votojnë aty ku kanë votuar në zgjedhjet e kaluara.

Ai foli për një proces regjistrimi të qytetarëve që ka nisur që në 2016 për Censusin, në zonën ku jetojnë dhe jo aty ku ata duan, por kjo thekson ai nuk e ndryshon njësinë ku qytetari voton.

Për News 24 ai tha:

Kam vënë re një publikim të PD, nga Alibeaj që deklaronte për ndryshime të gjendjes civile. E para janë dy kode të ndryshme në Kodin Civil, se Alibeaj ka qenë dhe ministër drejtësie. Askujt në republikë nuk i ndryhsohet vendbanimi pa miratimin dhe prezantimin e drejtpërdrejtë të qytetarit në gjendjen civile. Por për shkak të procesit të regjistrimit të nisur në 2016 me një sistem të ri adresash, kemi bërë implementimin, pra regjistrin e saktë të adresave. Pra regjistrimi i qytetarit aty ku banon.  500 mijë zgjedhës kanë pasur disa kode fantazmë dhe sot janë bërë 0. Nëse vini te njësia 5 e cila sot ka rreth 100 mijë qytetarë apo 80 mijë zgjedhës, në fakt nuk banojnë kaq, por 130 mijë.

Ne kemi bërë vetëdeklarimin e qytetarëve aty ku ata janë, jo ku ata duan. Ky është planifikimi.

Rastet që denoncon Alibaj,  theksoj se nuk u ka ndryshuar gjendja civile, por thjeht nuk mund ta mbajë vendbanimin aty ku ka qenë por aty ku është tani. Bëni verfiikimet ne e-albania, qytetarët që nxorri Alibeaj mund ta verifikojnë.  Dhe askujt nuk i nndryshon adresa pa kërkesë.

Më herët reagoi dhe ministri Lleshaj sot duke iu përgjigjur PD-së: 

Përfaqësues të Partisë Demokratike dhe media të caktuara nën ndikim, vijojnë të mashtrojnë hapur opinionin publik, duke trilluar operacione imagjinare për kinse “pengimin e qytetarëve për të votuar” nga ana e qeverisë.

Në respekt të qytetarëve, që janë të detyruar të dëgjojnë në mënyrë të përsëritur këto trillime haluçinante dhe të papërgjegjshme, më duhet po ashtu që të përsëris publikisht se:

1. Asnjë ndryshim nuk po ndodh, nuk do të ndodhë dhe nuk mund të ndodhë me qendrat e votimit;

2. Ekstrakti i parë i listave të votuesve do të publikohet më datën 5 tetor dhe çdokush do të ketë mundësinë që të shohë se qendrat e votimit nuk ndryshohen;

3. Ngatërrimi diabolik i procesit të përditësimit apo saktësimit të adresave të qytetarëve, që kryhet në zbatim të ligjit, nuk ka asnjë lidhje me qendrat e votimit të tyre, të cilat nuk ndryshojnë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Për vëmendjen e zëdhënësve të PD më duhet të them:

1. Nëse doni të bëni kallëzime, shkoni në prokurori. Paralajmërimet tuaja se do të bëni kallëzime janë qesharake, edhe pse në të vërtetë i bëni me qëllim presioni publik dhe intimidimi. Mos u lodhni kot me paralajmërime, thjesht shkoni në prokurori;

2. Nëse doni të ndërtoni ndonjë alibi për rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme, mendohuni për diçka tjetër. Kjo e qendrave të votimit është thjesht një blof i dobët;

3. Unë nuk jam si ju, ndaj as nuk më shkojnë ndërmend të bëj ato gjëra që ju aludoni dhe që i keni bërë në mënyrë sistematike vetë, kur, për fat të keq të vendit, kishit pushtetin qeverisës. Jo të gjithë janë si ju dhe, për rrjedhojë, jo të gjithë mund të bëjnë ato që ju keni bërë apo që jeni të gatshëm të bëni, po të keni mundësi;

4. Unë jam krenar që, bashkë me stafet e ekspertëve, kemi arritur që të bëjmë me adresë rreth 300 mijë qytetarë, që ju i kishit lënë si nomadë, pa kurrfarë adrese, vetëm me një kod absurd 999 në vend të saj, të cilin e keni keqpërdorur sa herë keni dashur. Nëse shqetësoheni prej kësaj, shprehuni, por amullia juaj e preferuar nuk mund të mbijetojë përjetësisht;

5. Përpara se t’u referoheni platformave mediatike nën dyshim publik, mundohuni të informoheni pranë institucioneve zyrtare, se aty do të gjeni të vërtetën e plotë.