Aktualitet

Nuk ka pasur presion mbi mua! Prokurori i Përgjithshëm Çela tregon pse-në

Nuk ka pasur presion mbi mua! Prokurori i Përgjithshëm Çela

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, mohon që në ushtrimin e detyrës së tij gjatë këtyre 9 muajve të ketë pasur ndërhyrje apo presion.

“Patjetër që jo (nuk ka patur ndërhyrje apo presion). Sepse qasja që Prokurori i Përgjithshëm ka në raport me ligjin është që askush të mos tentojë që të ndërhyjë në punët e një organi të pavarur”, tha Çela i ftuar në emisionin ‘Ilva Now’ në ‘Euronews Albania’.

Nga ana tjetër ai pohoi se nuk ka qenë aspak e lehtë detyra në krye të institucionit të akuzës për shkak të ndikimeve që pati tërmeti dhe pandemia.

Ndërsa u ndal tek vijimi i hetimeve për personat që janë përgjegjës për viktimat e tërmetit të 26 nëntorit, Çela u shpreh: “Një pjesë e tyre kanë përfunduar por është një numër shumë i lartë hetimesh që vijojnë kryesisht në Durrës dhe më pas mund të kalohet dhe në rekomandime për bazën ligjore”.