Aktualitet

Nuk pati minatorë të bllokuar, reagon MIE për ngjarjen në minierën në Martanesh

Nuk pati minatorë të bllokuar, reagon MIE për ngjarjen në

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar për ngjarjen e ndodhur në minierën në Martanesh, ku si pasojë e rrjedhjes së gazit nga një gjenerator me të cilën po punohej brenda në galeri, tre minatorë u asfiksuan. Ngjarja ndodhi konkretisht në galerinë Zona e Re Batër, Qarku Dibër.

Sipas MIA, nuk ka pasur minatorë të bllokuar dhe as shpërthim. Ministria e Infrastrukturës thotë se ndodhi një aksident, pasi gjatë saldimit në nëntokë të një vagoni mineralesh është çliruar gaz nga gjeneratori i përdorur dhe si rrjedhim 45 vjeçari SH.M ka humbur ndjenjat. Pranë tij ka qenë edhe një punonjës tjetër, i cili gjithashtu ka pasur probleme shëndetësore. Në vendin e ngjarjes por në distancë më të largët kanë qenë tre minatorë të tjerë të cilët kanë ndihmuar kolegët. Një prej minatorëve është sjellë me helikopter në Tiranë për shkak të gjendjes së rënduar. Ndërkohë që dy të tjerët u dërguan në spitalin e Bulqizës jashtë rrezikut për jetën.

Fillimisht u raportua për një shembje të galerisë dhe një shpërthim. Të 6 minatorët që ndodheshin brenda në galeri janë nxjerrë. Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk ka viktima.

Reagimi i plotë:

Në datë 11 maj 2021, rreth orës 12:30, në galerinë Nr.1240, Zona e Re Batër, Qarku Dibër, e cila shfrytëzohet nga shoqëria “Xhireton” shpk, me Leje minerare nr. 479/2, ka ndodhur një aksident.

Nga të dhënat paraprake të inspektimit të vendngjarjes, rezulton se gjatë saldimit në nëntokë të një vagoni mineralesh është çliruar gaz nga gjeneratori i përdorur dhe si rrjedhim mekaniku SH.D., 45 vjeç ka humbur ndjenjat. Pranë tij ka qenë edhe një punonjës tjetër, i cili gjithashtu ka pasur shqetësime.

Prezent në vendin e ngjarjes, në një distancë më të largët kanë qenë 3 punonjës të tjerë, të cilët u kanë ardhur në ndihmë kolegëve të tyre, duke e nxjerrë SH.D., jashtë galerisë. Ai është dërguar me helikopter në drejtim të Tiranës, për të marrë ndihmën mjekësore, ndërkohë që punonjësi tjetër është dërguar në spitalin e Bulqizës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në galeri nuk ka pasur shembje dhe as minatorë të bllokuar. Grupet e AKSEM, Inspektorati i Punës dhe Policia e Shtetit janë në vendngjarje dhe po vlerësojnë rrethanat e ngjarjes.

*Tiranapost.al.