Aktualitet

Nuk zbatoi orën policore! Pronari i lokalit në Shëngjin gjobitet me 1 milion lekë

Nuk zbatoi orën policore! Pronari i lokalit në Shëngjin gjobitetFoto Ilustruese

Pronari i një lokali në zonën turistike të Shëngjinit është gjobitur në shumën 1 milion lek nga Policia e Lezhës, pasi ka shkelur orën policore të caktuar për mbyllje nga Komiteti Teknik i Ekspertëve në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së virusit.

Raportohet se sipërmarrësi i gjobitur është Arben Delia i cili është kapur në shkelje duke mbajtur muzikën hapur përtej orës 00:00 të caktuar për mbylljen e lokalit.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Vijojnë kontrollet nga Policia e Lezhës, për monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje.

U konstatua duke ushtruar aktivitetin me muzikë pas orarit të përcaktuar, ndëshkohet me masë administrative, administratori i një subjekti.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë vijojnë kontrollet për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente.

Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar në Shengjin, Lezhë, 1 subjekt që po vijonte organizimin e aktivitetit me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje.

Nga shërbimet e Policisë, në bazë të Aktit Normativ, është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë, për administratorin e subjektit shtetasit A.D., banues në Lezhë, për shkelje të orarit të përcaktuar në aktin normativ, për zhvillimin e aktiviteteve.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë apelon për të gjithë administratorët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.

Tiranapost.al