Aktualitet

OBSH-ja apel për vaksinim kundër Fruthit: Mbi 50 mijë raste në 3 muaj në Europë

OBSH-ja apel për vaksinim kundër Fruthit: Mbi 50 mijë raste

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka dhënë alarmin për shifra në rritje të të prekurve me fruth. Sipas raportimeve të fundit, 56 634 raste të fruthit dhe katër vdekje u raportuan zyrtarisht në 45 nga 53 vendet e Rajonit Evropian të OBSH-së në tre muajt e parë të vitit 2024.

“Unë u bëj thirrje të gjitha vendeve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme, edhe aty ku mbulimi i përgjithshëm i vaksinimit është i lartë, të vaksinojnë grupet vulnerabël, të mbulojnë boshllëqet e imunitetit dhe kështu të parandalojnë përhapjen e virusit në çdo komunitet”, tha Dr. Hans Henri P. Kluge, Drejtor Rajonal i OBSH-së për Europën.

Vaksinën e marrin fëmijët e moshës 1 vjeç, të cilës prindërit ia kanë frikën për shkak të teorive konspirative se kjo vaksinë shkakton autizëm.

Çfarë është fruthi?

Fruthi është një infeksion viral i sistemit respirator. Fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse në botë. Fruthi përhapet nga kollitja dhe teshtitja, kontakti i afërt ose i drejtpërdrejtë me sekrecionet e hundës ose të fytit, 4 ditë para dhe pas skuqjes.. Virusi mbetet aktiv dhe ngjitës në ajër ose në sipërfaqet e infektuara deri në 2 orë.

Virusi shkakton temperaturë të lartë, ethe, rrjedhje hundësh, kollë, sy të skuqur dhe të përlotur dhe njolla të vogla të bardha në mukozën që vesh zgavrën e gojës. Skuqje në fytyrë, trup, duar dhe këmbë.