Aktualitet

Papa Françesku mesazh të rinjve shqiptarë 10 vjet pas vizitës historike

Papa Françesku mesazh të rinjve shqiptarë 10 vjet pas

10 vjet pas vizitës historike në Tiranë, Papa Françesku nga Vatikani dhe një mesazh për rininë shqiptare.

Në Tiranë po zhvillohet MED24 për herë të parë në Shqipëri, me mbështetjen e Papa Françeskut për të promovuar shpresën dhe paqen në rajon dhe në botë. Gjatë këtij takimi është transmetuar nga Imzot Arjan Dodaj dhe mesazhi i Atit të Shenjtë për të rinjtë e Shqipërisë.

Mesazhi i Papës:

Të dashur miq, të dashur të rinj shqiptarë dhe të Mesdheut,

Është për mua gëzim të di që ju jeni mbledhur në Tiranë, pikërisht 10 vjet pas vizitës sime në vendin tuaj të dashur, në vitin 2014. Nuk mund ta harroj dhe kujtohem për atë udhëtim të paharrueshëm, ku kam mundur të takoj popullin tuaj, një popull me larmishmëri portretesh, por i bashkuar nga kuraja. Siç ju thoja atëherë të rinjve: – “Ju jeni breznia e re e Shqipërisë”, – shtoj sot të dashur të rinj të pesë brigjeve të Mesdheut: – “Ju, breznia e re, jeni e ardhmja e rajonit të Mesdheut”. Të gjithë jemi shtegtarë të shpresës, që ecim në kërkim të së vërtetës, duke e jetuar fenë tonë ndërsa ndërtojmë paqen – e Paqja duhet të ndërtohet!

Hyji i do të gjithë njerëzit dhe nuk bën dallime mes nesh. Vëllazëria midis pesë brigjeve të Mesdheut që ju po ndërtoni është përgjigjja, – është përgjigjja –, është përgjigjja më e mirë, që ne mund t’u ofrojmë konflikteve dhe indiferencave, që vrasin, sepse: Indiferenca vret!

Mësoni së bashku që të lexoni shenjat e kohës. Soditni ndryshimin e traditave tuaja si një pasuri, një pasuri të kërkuar nga Hyji. Uniteti nuk është uniformitet dhe diversiteti i identiteteve tona kulturore dhe fetare është një dhuratë e Hyjit. Pra, Unitet në Diversitet! Lejoni të rriteni në vlerësimin reciprok, siç dëshmojnë të parët tuaj.

Vendosni në qendër zërat e atyre, që nuk dëgjohen. Po mendoj më të varfërit, që vuajnë të qenit të konsideruar si barrë, ose si trazim. Po mendoj ata, që ndonëse të rinj, shpeshherë duhet të braktisin vendin e tyre për një të ardhme më të mirë. Kini kujdes për secilin: pasi nuk flitet për numra, por për persona dhe çdo person është i shenjtë. Flitet për fytyra, dinjiteti i të cilave duhet të jetë i promovuar dhe i mbrojtur: T’i biem mohit kulturës së frikës për të hapur portën e mikpritjes dhe të miqësisë!

Si një liqen i madh i Tiberiadit, që i është besuar përkujdesjes suaj, banoni brigjet e këtij pellgu, që ju bashkon – Mesdheu ju bashkon! Ju bashkon si një lulishte e bukur për t’u kultivuar. Ruani shpirtin e shërbimit në çdo situatë, kini kujdes për çdo krijesë, që iu është besuar duarve tuaja!

Mësoni të dini të ecni në gjurmët e martirëve tuaj! Kuraja e tyre është dëshmi e gjallë, që mund të frymëzojë angazhimet tuaja për t’iu rezistuar të gjitha dhunave, që shpërfytyrojnë njerëzinë tonë, siç diti të bëjë, vetëm 22 vjeçe, e Lumja Marije Tuci.

Ju besoj te Maria, Nëna e Këshillit të Mirë, që gjithmonë hedh vështrimin e Saj me dashuri dhe dhimbje mbi ngjarjet e tokës suaj. Mësoni nga Zemra e Saj e Papërlyer që të jeni shtegtarë të palodhur të shpresës e të ndiqni shenjat e Hyjit që Mesdheu të rigjejë fytyrën e vet më të bukur: atë të Vëllazërisë dhe të Paqes dhe që të mos jetë më një varrezë.