Aktualitet

Pas sekuestrimit të pasurive të Ylli Ndroqit, ambasada amerikane: SPAK dhe policia të lejohen të punojnë pa kërcënime

Pas sekuestrimit të pasurive të Ylli Ndroqit, ambasada amerikane: SPAK

Ambasada Amerikane nuk i referohet konkretisht aksionit të fundit të SPAK ku urdhëroi sekuestrimin e 26 pasurive të biznesmenit dhe aksionerit Ylli Ndroqi pasi dyshohet se burimet e pasurive janë të paligjshme, por thekson se pavarësisht kush është i pandehur, profesionistët e sistemit të drejtësisë - oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit - duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre.

Në një mesazh të publikuar pak minuta më parë, ambasada shprehet se SHBA-të mëbshtesin fort punën e pavarur të SPAK dhe Policisë së Shtetit, duke kërkuar që të lejohen të kryejnë detyrat e tyre dhe të mbështeten përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar, pa kërcënime dhe pa kanosje.

‘Kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin profesional dhe të paanshëm të drejtësisë që meritojnë, dhe të ecin përpara drejt integrimit në BE’, thuhet mes të tjerash në mesazhin e Ambasadës me në krye Yuri Kim.

Lexoni reagimin si më poshtë:

Ambasada e SHBA-së mbështet me forcë punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut. Profesionistët e sistemit të drejtësisë - oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit - duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur. Ka ardhur koha që të lejohen të kryejnë detyrat e tyre dhe të mbështeten përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar. Kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin profesional dhe të paanshëm të drejtësisë që meritojnë, dhe të ecin përpara drejt integrimit në BE.

Ndërkaq, avokatët e Ylli Ndroqit kanë apeluar vendimin.