Aktualitet

Pedagogët takim me ministren e Arsimit: Nuk ramë dakord për rritjen e pagave, në 5 tetor protestë

Pedagogët takim me ministren e Arsimit: Nuk ramë dakord për

Ministrja Evis Kushi ka zhvilluar një takim me pedagogët ditën e sotme, për të negociuar në lidhje me kërkesat e tyre për kushtet e punës. Pas takimit përfaqësues të pedagogëve njoftuan se nuk është rënë dakord për rritjen e pagave, megjithëse shtuan se disa nga kërkesat janë plotësuar.

Më tej ata paralajmëruan se protesta do të vijojë më 5 tetor dhe do të jetë në formën e tubimeve.

Deklarata e pedagogëve pas takimit:

Ramë dakord për një rikonceptim të orëve. U ra dakord që do të analizohet në tërësi për të vendosur një koeficient. Ramë dakord parimisht që leksionet të kenë një koeficient më të madh se seminarët, si për bachelorin ashtu edhe për masterin. Ne jemi të vendosur për kërkesat kryesore. Kërkesat tona janë të paekzagjeruara. Ekzagjerimi vjen nga perceptimi i gabuar i vlerës së parasë. Çdo qytetar ka të drejtë të kërkojë në kohë inflacioni, rimbursimet.

Kërkesat e pedagogëve:

-Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës (nuk është plotësuar)
-Rritja e financimit për kërkimin shkencor (nuk është plotësuar)
-Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmëri shëndeti në punë’ (nuk është plotësuar)
-Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë (nuk është plotësuar)
-Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare (do shqyrtohet)
-Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosfierencimit të orës mësimore të leksionit. (do shqyrtohet)
-Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare (do shqyrtohet)
-Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”. (do shqyrtohet)
-Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike. (është rënë dakord)

Çfarë tha Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, pas takimit?

“Do të vazhdojmë dialogun për politikën e pagave jo vetëm me ta, por edhe me rektorët e universiteteve dhe grupet e interesit. Ne synojmë që kjo politikë të lidhet me performancën e universiteteve, me qëllim vlerësimin e suksesit dhe nxitjen e cilësisë dhe konkurrencës”, shkruan Kushi pas takimit.