Aktualitet

Përfundojnë hetimet për Klodian Çalamanin

Përfundojnë hetimet për Klodian Çalamanin
Prokuroria ka mbyllur hetimet për vrasjen makabre të 8-vjeçarit Mateo Vasiut nga 38-vjeçari Klodian Çalamani. Në përfundim të hetimeve, është konfirmuar se Çalamani fillimisht ka abuzuar seksualisht me të miturin dhe më pas e ka vrarë.

“Në analizë të të gjitha provave të grumbulluara, rezulton e provuar se i pandehuri, para se të kryente veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj të miturit” të parashikuar nga neni 79 germa “a”, ka konsumuar fillimisht veprën penale të “Marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë, të parashikuar nga neni 100/2 i K.Penal”,thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Si ndodhi ngjarja?

Ka qenë nëna e të miturit, Florida e cila në orën 15:30 ka bërë denoncimin në polici, pasi djali i saj ishte zhdukur dhe për të nuk kishte asnjë gjurmë. Pas denoncimit, efektivët e policisë kanë nisur hetimet dhe nga kamerat e sigurisë u zbulua se komunikimi i fundit i të miturit ka qenë me Çalamanin, fqinji i tij. Nisur nga kjo, efektivët i kanë shkuar në banesë, ku i riu është parë i shqetësuar, ç'ka ka ngritur dyshimet e Policisë, e për pasojë është shoqëruar në Komisariat.

Gjatë marrjes në pyetje, ai është dorëzuar dhe ka pranuar krimin monstruoz, ku përveç se e kishte vrarë, edhe e kishte groposur në oborrin e shtëpisë. Efektivët janë rikthyer edhe një herë në banesën e të riut dhe aty kanë gjetur trupin e pajetë të 8-vjeçarit të mbuluar me baltë. I mituri është goditur barbarisht 2 herë me lopatë pas koke, goditje këto që kanë rezultuar fatale duke i marrë jetën.