Aktualitet

Përgjigjja e Ditmir Bushatit për marrëdhënien Rama-Kurti! Njëri ka qenë e mbetet kryetari i partisë ku jam, tjetri mik i çmuar

Përgjigjja e Ditmir Bushatit për marrëdhënien Rama-Kurti!

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, foli për emisionin “Kjo Javë” ndër të tjera edhe për marrëdhënien Kosovë-Shqipëri. Pyetjes së gazetares: Çfarë do t`i sugjeronit Ramës dhe si do ta këshillonit Kurtin për të gjetur një lloj paqe?

Bushati përgjigjet: "Të jeni të sigurt që qoftë kryeministrit Rama, por edhe Kurtit, në raporte të ndryshme natyrisht, sepse njëri ka qenë dhe mbetet kryetari i partisë ku unë jam, tjetri një mik i çmuar, kam pasur mundësinë t`u jap sugjerimet e mia. Mendoj që është e domosdoshme të ndërtohet një axhendë pozitive mes Shqipërisë dhe Kosovës, mes frymës edhe të dokumentit të Prizrenit të janarit të 2014-ës dhe të shihet me seriozitet gama e çështjeve në të cilat raporti Shqipëri Kosovë ende nuk ka prodhuar ato rezultatet e duhura."

Pyetjes:”A e forcon Serbinë një tension Shqipëri-Kosovë”, Bushati i përgjigjet:

"Që nga shembja e komunizmit kemi evidentuar tre etapa në raportet mes Shqipërisë e Kosovës. Në të parën, e shihnim Kosovën me një xhelozi pozitive.

Etapa e dytë pas çlirimit të Kosovës në 1999, ku shqiptarët e shohin Kosovën edhe si një lloj tregu për t’u zhvilluar ekonomikisht.

Etapa e tretë, nis me një lloj nevoje për ta fuqizuar subjektivitetin juridiko ndërkombëtar apo statusin e Kosovës shtet të pavarur. Në këtë etapë ka pasur edhe një lloj frenimi apo përplasje që nuk ka lindur as me qeverinë Rama as me qeverinë Kurti, ka qenë permanent është karakteristikë e kësaj etape, ku Kosova ka nevojë në disa raste për të forcuar identitetin e saj, nganjëherë mendon që ky identitet mund t’i vihet në pikëpyetje nga qëndrimet që mund të mbajë Shqipëria. Tani është koha për të ecur në një drejtim tjetër. Duhet thelluar aksi Tiranë – Prishtinë në çdo nivel duhet të dilet nga llogoret e së shkuarës e duhet të jemi ofertues në raport me të tjerë."