Përpjekja e ulët për të poshtëruar një grua dhe kush është nëna e ‘djalit të liqenit’
Zaida Çobo, nënë e divorcuar, që mediat na kujtuan se nuk ishte krejt e panjohur, dikur pjesë e Reality Show në 'Big Brother 8' është gruaja e videos së publikuar nga Ardi Veliu. Nga 'Big Brother' kujtojmë jo pak çudira, por fakti që këtë grua mezi e kujtojmë duket se as ka shkëlqyer dhe as ka kaluar vijën e kuqe.
Aq sa e kujtoj Zaidën, ishte një nënë single që përpiqej ti jepte një motiv jetës së saj. Vetëm në diktatura dhe në disa vende në Lindjen e Mesme shteti i jep vetes të drejtë të godasë një grua me gurë. Sot as më shumë as më pak gafa e Kryepolicit Ardi Veliu (që ai që e ka këshilluar duhet ta ketë urryer shumë) është dëshmi ulëritëse sesi nuk duhet bërë shteti. Nuk duhet të jesh sociolog apo antropolog për të kuptuar qëllimin e Policisë: Të zbusim dhe ulim sentimentin e shoqërisë për dhunën e djalit të liqenit me argumentin se nëna nuk është një shembull i mirë.
Këshilla më e keqe, vendimi më i gabuar, mentaliteti më ordiner!
Copyright/ Tiranapost.al. M.K