Aktualitet

Pezullohen nga detyra tre policë në Korçë

Pezullohen nga detyra tre policë në Korçë

SHÇBA ka pezulluar nga detyra tre punonjës policie në Korçë. Ky vendim ka ardhur pas denoncimit të tyre në emisionin investigativ “Stop”.

Policët dyshohet se kundrejt një shume parash janë përfshirë në veprime korruptive.

Njoftimi i plotë:

SHÇBA Korçë ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, e cila ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, në ngarkim të 3 punonjësve të policisë:

Inspektor B. P., 49 vjeç, me detyrë Trupë Shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Pogradec;
Inspektor K.B., 21 vjeç, me detyre Trupë Shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Pogradec;
Inspektor E.O., 24 vjeç, me detyre Trupë Shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Pogradec.
Veprimet hetimore janë kryer nga Drejtoria Rajonale e SHÇBA Korçë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, në kuadër të procedimit penal të vitit 2021, regjistruar pas kallëzimit të shtetasit I.D. dhe denoncimit të emisionit “Stop” në TV Klan.

Punonjësit e mësipërm të policisë dyshohet se kundrejt një shume parash janë përfshirë në veprime korruptive, me qëllim favorizimin e shtetasit I.D., duke mos e ndëshkuar atë për shkelje të kufizimeve të lëvizjes pas fashës kufizuese, drejtim të automjetit në gjendje të dehur, si dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij.

Hetimet në lidhje me këtë proçedim po vazhdojnë për kryerjen e veprave penale “Kryerja e veprimeve arbitare” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 250 dhe 259 të Kodit Penal.

Tiranapost.al