Aktualitet

Pezullohet nga detyra drejtori i Policisë Kriminale, Artan Shkëmbi

Pezullohet nga detyra drejtori i Policisë Kriminale, Artan Shkëmbi

Pezullohet nga detyra Artan Shkëmbi, drejtor në Drejtorinë Qëndrore në departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

Shkëmbi ishte kreu i task forcës “Forca e Ligjit”, ndërkohë që urdhri për pezullimin e tij është marrë nga drejtori i përgjithshëm Ardi Veliu.

Kujtojmë se vetëm pak muaj më parë Artan Shkëmbi kaloi procesin e Vettingut në polici duke qenë i pastër në të tri kriteret e vlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe anës profesionale.

Por, 7 muaj pasi kaloi vettingun partnerët e huaj zbulojnë lidhjet Artan Shkëmbit, me dekonspirim të operacioneve dhe përfshirje në korrupsion.

Sipas  Report Tv, ky informacion i është përcjellë Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion, ku pas hetimeve të kryera ka kërkuar në GJKKO masën e pezullimit nga detyra.

Hetimet janë ndjekur me metoda speciale ndërsa pritet që në përfundim të tyre të vendoset edhe për fatin e tij.

OFL prej Janarit 2020 ka mbi 200 procedime të hapura mes tyre 80 kërkesa për sekuestrim pasurie, 9 për heqje sekuestro, 30 çështje për zgjatje të afateve të sekuestrove dhe 42 çështje për konfiskim pasurie ndaj personave të skeduar.

Të gjitha këto informacione kanë kaluar nga Artan Shkëmbi, i cili nga kjo e hënë do të qëndrojë jashtë radhëve të policisë deri në përfundim të hetimit nisur ndaj tij për korrupsion e nxjerrje sekreti hetimor.