Aktualitet

Pipero: Me keqardhje, por propozoj kufizim për lokalet e natës. Mbyllja mund të bëhet në qytetet e vogla

Pipero: Me keqardhje, por propozoj kufizim për lokalet e natës.

Mjeku më popullor për Covid 19 është Pëllumb Pipero. Ai ka fituar popullaritet dhe besim në publik në deklaratat që bën. Në një intervistë për Ilva Tare në Euroneës ai tha se që mos të shkojmë tek mbyllja duhet të bëjmë disa kufizime të arsyeshme, tek të cilat ai përfshinë: kufizimin e orareve për lokalet e natës. Zbatimin e protokolleve në bare dhe restorante dhe mbajtja e saktë e maskës.

“Mbyllja nuk është zgjidhje, ishte një zgjedhje e detyruar për momentin, por rast pas rasti mund të bëhet në qytetet e vogla. Askush nuk mund ta parashikojë, por nuk do të ishte një zgjidhje që e ndihmon qoftë frenimin, qoftë ekonominë dhe e kam të vështirë të them se cilat do ishin shifrat për të marrë këtë masë ekstreme. Mund të kemi kufizime të arsyeshme. Mendoj se jo tani, por duke parë në vijimësi duhet komunikuar me bizneset për kufizime të arsyeshme, dhe të nevojshme. Kufizime të orarit të shërbimeve sidomos në restorante gjatë darkë dhe natës. Kufizimi apo mbyllja e lokale vetë natës. Në bare shohim që protokolli nuk respektohet”, tha Pipero për 'Ilva Now'.

Pipero sqaron edhe keqinterpretimin me deklaratën e tij për maskat në rrugë. Ai thotë edhe një herë se mundësia e marrjes së virusit në rrugë është i vogël, por efektiviteti është i madh. Kjo s’do të thotë që maska nuk e mbron.