Aktualitet

Adoleshenti plagos të miturin në Pukë, policia në kërkim të autorit

Adoleshenti plagos të miturin në Pukë, policia në

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Gjegjan të Pukës. Një adoleshent 17 vjeç ka plagosur me armë zjarri një të mitur 11-vjeçar, i cili është transportuar me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dinamika e plotë e ngjarjes ende nuk është zbardhur por Policia përmes një njoftimi zyrtar bën të ditur se paraprakisht dyshohet se gjithçka mund të ketë qenë aksidentale, ndërkohë që burime jo zyrtare nga vendngjarja hedhin dyshime se shënjestra e 17-vjeçarit ishte kushëriri i të miturit që ka marrë plagë në këmbë.

Policia ndërkohë shprehet se ka identifikuar autorin i cili po kërkohet në zonë.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 16:20, në fshatin “Dom Gjegjan”, Pukë, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri një i mitur 11 vjeç, i cili po dërgohet në Spitalin e Traumës Tiranë.

Falë veprimeve të shpejta hetimore është bërë identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasi R. C. 17 vjeç dhe po punohet për kapjen e tij.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.