Aktualitet

Po fshihen viktimat me Covid, mjeku Kalo për akuzat e Bashës: E pamundur, si plotësohet skeda sipas rastit?

Po fshihen viktimat me Covid, mjeku Kalo për akuzat e Bashës: E

Mjeku i spitalit Infektiv Tritan Kalo ka dhënë shpjegime lidhur me skedat e vdekjeve të pacientëve me koronavirus. Duke iu përgjigjur akuzave të kreut të PD-së Lulzim Basha, mjeku Kalo tha se është e pamundur të bëhen falsifikime apo ndërhyrje. Nga mbledhja e Komitetit Teknik të Ekspertëve ai tha se është e përcaktuar me lidh por edhe shkencërisht kur plotësohet një skedë vdekje, me arsyet se pse i sëmuri vdes.

"Sa i përket rasteve të humbjes së jetës në shtëpi nuk mund të them asgjë sepse janë mjekët e agjencisë rajonale të shëndetit që  i dinë më mirë këto shifra. Por një skedë vdekje ka të përcaktuar mirë ligjërisht arsyet përse i sëmuri vdes, pra që nga pranimi, evoluimi i rastit  dhe momenti kur ndërron jetë. Në këto raste nuk mund të bëhet asnjë ndërhyrje apo të krijohet një artificë si në diagnozën e pranimit ashtu edhe përfundimit.

Problemi është kush është shkaku parësor dhe dytësor? Në terren të një të sëmuri me covid jo gjithmonë sëmundja bazë është shkaku i vdekjes, por janë edhe komplikime apo dëmtime të tjera paraprake që kanë ndodhur para se i sëmuri të shtrohet në spital.

Në terren të këtyre të sëmurë zhvillohen edhe problematika që lidhen me vetë sëmundjen bazë. Të sëmurët që kanë probleme me dializën, dëmtimet që ndodhin jo gjithmonë lidhen me Covid-in. 

Në këtë rast nuk mund të ketë asnjë lloj në thonjëza “falsifikimi ose ndryshimi. Është krejtësisht e pamundur. Populli duhet ta ketë të qartë. Asnjë ndërhyrje për ndryshimin e diagnozës ose ndryshimin e shkakut të vdekjes. Problematikat që krijohen artificialisht krijojnë një tymnajë dhe krijojmë një ndarje midis besimit të popullit dhe punës së madhe që bëjnë mjekët. Duhet thënë publikisht, mjekët, infermierët, sanitaret, kushdo që merret me të sëmurët me Covid-19 bën një sakrificë maksimale. Vënë jetën e tyre në rrezik, për të shpëtuar jetët e të tjerëve”.

*Tiranapost.al