Aktualitet

Policia do na përgjojë? Ministri Lleshaj: Alarme nga ata që s'janë njohur me projektligjin

Policia do na përgjojë? Ministri Lleshaj: Alarme nga ata që

Një projektligji i hartuar i jep të drejtë policisë që të vendosë përgjim pa marrë lejen e prokurorisë. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka thënë se bëhet fjalë për një nismë ligjore për të parandaluar krimin, por sqaroi se nuk do përgjohen qytetarë shqiptarë të thjeshtë që nuk kanë lidhje me botën e krimit.

I pyetur nëse do autorizohen nga drejtues të policisë, dhe jo nga prokuroria ministri i brendshëm tha:

"Policia e Shtetit është vetë organ ligjzbatues dhe ka detyrën dhe përgjegjësinë për të ushtruar parandalimin e krimit. Dhe leja do të jepet nga autoritetet përkatëse, drejtuese të policisë. Thashë edhe njëherë, Policia është një organ ligjzbatues i këtij shteti, e cila ka detyrë ekskluzive parandalimin e krimit. Dhe në funksion të këtij parandalimi, Policia do të ketë edhe këto instrumente në dorë".

Për këtë projektligj ka pasur debate se kërcënon të drejtat e njeriut, por ministri tha se alarmi është dhenë nga ata që nuk janë njohur me draftin.

"Ne s’kemi nisur ndonjë plan për survejimin e të gjithë shtetasve shqiptarë në parlament. Nuk ka një plan të tillë, të survejojmë shtetasit shqiptarë. Janë dhënë alarme nga ata që ende nuk janë njohur me iniciativën e qeverisë, e cila synon vetëm t’i krijojë policisë mundësitë për të ushtruar funksionet e saj në drejtim të parandalimit të krimit".

Deklarata e ministrit Lleshaj për Report Tv.