Aktualitet

“Populli s’ka bukë, ç’na duhen aeroportet”, përgjigjet Rama: aeroportet janë fabrika buke, rrisin të ardhurat

“Populli s’ka bukë, ç’na duhen aeroportet”,

Kryeministri Edi Rama u ka dhënë një përgjigje interesante ditën e sotme nga Vlora të gjithë pesimistëve, që pretendojnë se qytetarëve shqiptarë “nuk iu duhen aeroportet”, sepse “nuk kanë bukë të hanë”.

Me rastin e nisjes së punimeve për Aeroportin e Vlorës, Edi Rama theksoi se shqiptarët nuk e kanë pasur problem bukën që në kohën e Skënderbeut “nëse nisemi thjesht nga buka si bukë”.

Kryeministri i cilësoi aeroportet si “fabrika buke”, duke sqaruar se këto subjekte rrisin të ardhurat në vend, sjellin konsumatorë në vend dhe sa më shumë njerëz të vijnë në vend nëpërmjet aeroporteve, aq më shumë ka mundësi vendi të rrisë shërbimet, dhe pas tyre edhe prodhimin.

“Mbase, në një fazë tjetër të mëvonshme, mbas disa vjetësh do të na duhen edhe më shumë se kaq. Të gjithë ata që pyesin ç’i duhen Shqipërisë kaq shumë aeroporte, duhen të informohen mbi faktin se numri i aeroporteve lidhet me kapacitetin e aksesueshmërisë që vendi u jep atyre që vijnë kur ky vend e ka turizmin prioritetin e vet kryesor për zhvillimin ekonomik.

Nga ana tjetër, duhen të informohen për faktin se aeroportet nuk janë as parkingje makinash, që ulin dhe sistemojnë avionë në tokë, as stacione ku vijnë njerëz që thjesht kryejnë nevojat e tyre pët transport. Aeroportet janë motor i jashtëzakonshëm zhvillimi ekonomik, zhvillimi social dhe progresit tërësor të vendeve.

Atyre që kanë atë avazin e ‘populli s’ka bukë, ç’na duhen aeroportet’, unë duhet t’iua përsëris: çështjen e bukës, shqiptarët nuk e kanë pasur asnjëherë problem qysh nga koha e Skënderbeut, nëse nisemi thjesht nga buka si bukë. Por, aeroportet janë fabrika buke, sepse aeroportet rrisin të ardhurat në vend, sjellin konsumatorë në vend dhe sa më shumë njerëz të vijnë në vend nëpërmjet aeroporteve, aq më shumë ka mundësi vendi të rrisë shërbimet. Dhe sa më shumë vendi rrit shërbimet, aq më shumë vendi ka mundësi të rritë prodhimet, sepse krijohet një zinxhir i tërë ekonomik, që i mbetet vendit.

Turistët që vijnë janë konsumatorë, dhe me aeroportet ne rrisim cilësinë e turistëve në aspektin e sasisë së parave që ata shpenzojnë në vend. Të gjithë turistët janë të mirëseardhur, por tjetër turisti që vjen dhe konsumon pak, tjetër turisti që vjen dhe konsumon shumë. Dhe nga konsumi i shumtë i turistit përfiton sipërmarrja në vend, përfiton tregtia në vend, përfiton prodhimi në vend.

Dhe nga gjithë ky zinxhir, rriten dhe të ardhurat për buxhetin e shtetit dhe atyre që thonë ‘ne kemi nevojë që të mbarojnë rrugët e fshatrave’, u them ‘shumë dakord’. Ne kemi nevojë që të mbarojmë gjithë ato që janë end pa u mbyllur në sistëmet e furnizimit me ujë dhe me energji. Por, si mbarohen këto? Këto mbarohen dukë pasur më shumë të ardhura në dispozicion në buxhetin e shtetit, në buxhetin e bashkive”, tha kreu i Qeverisë midis të tjerash.

Më herët, Kryeministri lajmëroi se dhe një aeroport sezonal do të hapet në Sarandë për të mbështetur zonën në kulmin e sezonit turistik dhe tha se industria e turizmit në mbarë botën synon turistët e ‘klasit të parë’, pra ata persona që shpenzojnë më shumë kur shkojnë diku me pushime.

Tiranapost.al