Aktualitet

Prezantohet projekti i portit të Durrësit

Prezantohet projekti i portit të Durrësit
Projekti për portin e ri të Durrësit u prezantua sot gjatë një takimi të Kryeministrit Rama në zyrën e tij me disa projektues holandezë. Vepra për të cilën synimi është që të jetë porta hyrëse në Ballkanin Perëndimor po realizohet falë një pune të përbashkët me partnerët shqiptarë. Infrastruktura e vjetër tashmë e amortizuar e portit aktual, e cila shkakton ndotje dhe kaos në mjedis, do të transformohet falë projektit në një arkitekturë model. Përmes një filmi të realizuar nga studio holandeze, projektuesit shpalosën vizionin për portin e ri të Durrësit, një vepër madhështore, me impakt të shtrirë në të gjithë rajonin.

“Porti më vete është vetëm port, por duhet konsideruar si një element i një zinxhiri të tërë logjistik, pra këtu ka mundësi që ju të krijoni një portë hyrëse në Ballkanin Perëndimor.” – u shpreh drejtuesi i grupit projektues. Kryeministri Rama tha se qëllimi ishte pikërisht transformimi i infrastrukturës së vjetër në një port model si një ndër shtyllat e vizionit Shqipëria 2030. “Saktësisht ky ishte qëllimi, prandaj qysh prej fillimit e pamë që porti aktual ishte një rrëmujë e tërë, ndoste, nuk kishte kapacitete për t’u zgjeruar, nuk kishte lidhje, nuk kishte asgjë. Ndërkohë që porti i ri ka potencial, ka kapacitete dhe na bën portën hyrëse në të gjithë Ballkanin Perëndimor, – u shpreh Kryeministri”.

Ndërkohë që edhe për grupin projektues, ecuria e projektit është premtuese.

“Është mjaft interesante sepse ne nisëm vetëm me këtë detyrë me ekipin dhe gjatë punës u bëmë shumë entuziastë, lidhur rentabilitetin dhe mundësitë e projektit, kështu që ka një entuziazëm në rritje dhe brenda ekipit.” – u shpreh drejtuesi i grupit projektues.