Aktualitet

Prokuroria mbyll hetimet për dy kandidatët për deputetë

Prokuroria mbyll hetimet për dy kandidatët për deputetë

Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar verifikimet për dy kandidatë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Emrat e tyre janë dërguar për verifikim mes dyshimeve se kanë probleme me ligjin e Dekriminalizimit. Bëhet fjalë për një kandidat të LSI-së dhe një të nismës Thurje, Napolon Laska.

Përfundimet e hetimit së bashku me konkluzionet janë dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhje. Rezulton se ka kandidati i Nismës Thurje nuk ka qenë i dënuar me vendim Gjykate, si dhe nuk rezulton të jetë akuzuar, apo të ketë bërë burg.

Pritet që Komisioni Qendror të tregojë konkluzionet edhe për kandidatin tjetër. Ndërkaq kanë mbetur edhe 28 kandidatë për verifikim.

Njoftimi i plotë nga prokuroria:

Prokuroria e Përgjithshme në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, Vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si dhe urdhrit të Prokurorit të Përgjithshëm nr. 41, datë 11.02.2020 përfundoi verifikimin për 2 subjekte vetëdeklarues, kandidatë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe ia përcolli organit kompetent, në këtë rast Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezultatet e verifikimit (në zbatim të nenit 12 e 13 të Kreut V të Vendimit të Kuvendit nr.17/ 2016), për të shqyrtuar nëse janë evidentuar të dhëna që përfshihen në sferën e kufizimeve të nenit 2 të ligjit nr. 138/2015 dhe në vijim dhe të vlerësojë nëse ato janë brenda periudhës së ndalimit të përcaktuar në nenin 4 të po këtij ligji.

Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces dhe po trajton të gjitha kërkesat e përcjella, për verifikim të thelluar e të plotë të të dhënave të pasqyruara në Formularët e Vetëdeklarimit nga personat, subjekte të këtij ligji që garojnë për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Kujtojmë se Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimin e thelluar për 30 kandidatë për deputetë të partive të ndryshme, pasi ka dyshime se janë të prekur nga ligji i Dekriminalizimit.

*Tiranapost.al.