Protesta e Kuvendit, policia çon në SPAK shtatë deputetë të opozitës
Gjatë seancës së djeshme parlamentare pati përplasje mes deputetëve të opozitës dhe punonjësve të policisë dhe Gardës.
Policia ka referuar materialet në SPAK për shtatë deputetë të opozitës: Elda Hotin, Flamur Nokën, Bledion Nallbatin, Gazment Bardhin, Dashnor Sulën, Luan Baçin dhe Saimir Korreshin.
NJOFTIMI I POLICISË:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në lidhje me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme, në vijim të veprimeve hetimore të kryera ka referuar materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në gjendje të lirë për shtetasit:
- E. H., 32 vjeçe, për veprën penale "Kanosja" dhe "Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese";
- F. N., 53 vjeç, B. N., 38 vjeç, G. B., 39 vjeç, D. S., 55 vjeç, L. B., 61 vjeç, dhe S. K., 43 vjeç, për veprën penale "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik".
Ditën e djeshme, në ambientet e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, shtetasja E. H., ka hedhur në drejtim të deputetëve një lëndë të lëngshme të paidentifikuar, ndërsa në hyrje të godinës së Kuvendit të Shqipërisë, shtetasit F. N., B. N., G. B., D. S., L. B., dhe S. K., kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë të planëzuar me shërbim.
Materialet i kaluan Prokurorisë.