Aktualitet

Pse s’duhet të ngazëllehemi për rezolutën e PE për Shqipërinë dhe një sqarim i detajuar nga ish-ministri

Nuk duhet të ngatërrojmë radhën dhe rolin e çdo institucioni europian në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, me vijimin e përmbushjes së detyrave të shtëpisë.

Pse s’duhet të ngazëllehemi për rezolutën e PE

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, duke sqaruar 7 hapat që do të ndjekë Shqipëria për anëtarësimin në BE, tregon se në të vërtetë nuk ka arsye për një ngazëllim në situatën në të cilën ndodhemi. Bushati shkruan se, PE nuk ka kompetenca për të bërë listë e për të numëruar kushtet e Shqipërisë, po janë vetë vendet e BE në dakordësi mes tyre, prandaj nuk duhet ngatërruar radha e roleve të institucioneve të BE në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.

“Ne duhet të dalim nga labirinthi i vetmashtrimit që nuk prodhon rezultate të prekshme e të kontribuojmë secili sipas përgjegjësisë që na takon, për një Pakt për Europën, ku të përcaktojmë një herë e mirë shtyllat dhe rregullat e sjelljes politike për këtë proces jetik për fatet e vendit. Na duhet pronësi për reformat!”, shkruan në fund ish-ministri.

Postimi i plotë: 

THELBI ËSHTË TJETËRKUND

Ka një ngazëllim të pakuptueshëm në lidhje me Rezolutën e miratuar në Parlamentin Europian ku theksohet përmbushja nga Shqipëria e 15 kushteve të caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian përpara mbajtjes së Konferencës Ndërqeveritare. E njejta gjë mund të thuhet edhe për debatin për Shqipërinë në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Europian.

Duhet thënë se çdo deputet apo grupim politik në Parlamentin Europian është në të drejtën e vet për të pasur një vlerësim politik për Shqipërinë. Por, në kuptimin ligjor, Parlamenti Europian nuk ka kompetencë për të përcaktuar e numëruar listë me kushte apo detyra shtëpie për nisjen e negociatave. Kjo është një kompetencë e Vendeve Anëtare të BE-së, të cilat vendosin me unanimitet bazuar mbi propozimin e Komisionit Europian.

Parlamenti Europian ka miratuar disa herë Rezoluta në mbështetje të procesit të liberalizimit të vizave me Kosovën, por Vendet Anëtare të BE-së ende nuk kanë marrë një vendim përfundimtar. Në rastin e aderimit të Shqipërisë, Parlamenti Europian ka për ta thënë fjalën e tij në momentin e shqyrtimit të Traktatit të Aderimit, siç e ka thënë edhe në rastin e shqyrtimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Natyrisht, shqetësimet e shprehura nga eurodeputetë është mirë të sqarohen e të trajtohen në rrugë shtetërore, diplomatike dhe parlamentare. Nëse grupimet tona politike nuk “eksportojnë” politikën e ditës tek grupimet politike respektive në Parlamentin Europian, një pjesë e mirë e këtyre shqetësimeve trajtohen lehtësisht. Këtë mësim, ndryshe nga ne, disa vende të rajonit e kanë mësuar me kohë. Sepse, në dallim nga Komisioni Europian dhe Vendet Anëtare, eurodeputetët nuk kanë grupe ekspertize për verifikimin e reformave në tërren.

E pra thelbi është tjetërkund. Ndaj nuk duhet të ngatërrojmë radhën dhe rolin e çdo institucioni europian në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, me vijimin e përmbushjes së detyrave të shtëpisë.

Hapi I.

Fillimit të negociatave i paraprin përgatitja nga ana e Komisionit Europian dhe miratimi nga Vendet Anëtare të BE-së të “Kuadrit Negociues”. Ky dokument përcakton parimet, thelbin dhe procedurat mbi të cilat do të zhvillohet i gjithë procesi. Vendet Anëtare kanë përcaktuar një katalog me disa detyra, mënyra e adresimit të të cilave nga ana e Shqipërisë duhet të reflektohet në dokumentin e “Kuadrit Negociues”. Ndërkohë që Komisioni do të ndërveprojë me Vendet Anëtare për miratimin e këtij dokumenti të rëndësishëm, ne nuk duhet të rrijmë në pritje. Por, duhet gjithashtu të përgatisim kuadrin tonë negociues, i cili do të shërbejë si platformë udhërrëfyese në këtë proces, shoqëruar me fuqizimin e kapaciteteve administrative dhe financiare. Në këtë dokument, ne duhet t’i përgjigjemi edhe shqetësimeve kryesore edhe detyrave të lëna nga Vendet Anëtare të BE-së, duke dëshmuar përgjegjshmëri, vullnet politik dhe qartësi për rrugën e vështirë të reformave që duhet të ndërmarrim. Ky dokument duhet t’i nënshtrohet një konsultimi e diskutimi të vërtetë politik e shoqëror.

Hapi II.

Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, që simbolizon nisjen e procesit, do të shërbejë si platformë ballafaqimi e dy Kuadreve Negociues, atij të BE-së dhe Shqipërisë. Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare është e ndërlidhur me përmbushjen e disa detyrave të lëna nga Vendet Anëtare të BE-së për Shqipërinë. Detyra, që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, funksionimin e gjykatës kushtetuese, gjykatës së lartë, rishikimin e legjislacionit të medias në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, reduktimin e fenomenit të azilkërkimit, progresin dhe funksionimin e strukturave të specializuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për përmbushjen e këtyre detyrave, Komisioni Europian do të raportojë sërish para Vendeve Anëtare. Na duhet një plan veprimi për përmbushjen e detyrave të mësipërme. Plani duhet të jetë publik, të adresojë përgjegjësinë institucionale të aktorëve të përfshirë në proces dhe të jetë i afatizuar.

Hapi III.

Faza e tjetër është ajo e shqyrtimit të përputhshmërisë së legjislacionit dhe kuadrit institucional, ku Shqipëria do të prezantojë planet për arritjen e përputhshmërisë në mënyrë progresive. Pasi të kryhet ky shqyrtim (‘bilateral screening’), Komisioni Europian përgatit raportin e shqyrtimit për grup kapitujsh (‘clusters’) e çdo kapitull negociimi, ku vlerësohet gjendja e rendit ligjor në raport me atë të BE-së, shkalla dhe planet për përputhshmëri të plotë, sikundër kapacitetet administrative dhe korniza institucionale. Komisioni Europian i paraqet Vendeve Anëtare të BE-së atë që njihet ndryshe si ‘screening report’. Pas shqyrtimit dhe miratimit nga ana e Vendeve Anëtare të raportit të Komisionit Europian, ftohet Shqipëria për të paraqitur pozicionin negociues për kapitull. Ndërkohë që vetë Vendet Anëtare miratojnë pozicionin negociues të BE-së për kapitull.

Nëse Vendet Anëtare vlerësojnë se Shqipëria nuk është e gatshme për të marrë përsipër angazhimet që burojnë nga kapitulli negociues, ato përcaktojnë disa kushte për t’u përmbushur për hapjen e kapitullit. Në këtë rast, Komisioni sërish duhet të paraqesë para Vendeve Anëtare të BE-së një raport për përmbushjen e kushteve paraprake për hapjen e negociatave për kapitull. Pas shqyrtimit e miratimit të raportit nga Vendet Anëtare, ftohet Shqipëria për të paraqitur pozicionin negociues për kapitull. Ndërkohë që Vendet Anëtare miratojnë pozicionin negociues të BE-së për kapitull.

Hapi IV.

Vetëm pas ezaurimit të hapave të mësipëm mbahet Konferenca Ndërqeveritare për hapjen e Kapitullit, ku palët ballafaqojnë pozicionet e tyre negociuese. Nëse në pozicionin negociues të BE-së për kapitull specifikohet se niveli i përputshmërisë së Shqipërisë me standardin europian (‘acquis’) është i kënaqshëm dhe se nuk është e nevojshme që të zhvillohen negociata të mëtejshme, atëhere negociatat për kapitull mbyllen përkohësisht.

Praktika na tregon se në shumicën e rasteve BE-ja përcakton disa kushte që duhen përmbushur nga vendi kandidat në mënyrë që negociatat për kapitull të konsiderohen të mbyllura. Në këtë rast, përsëritet e njejta procedurë dhe skemë bashkëpunimi, si tek kushtet per hapjen e kapitullit, ndërmjet Shqipërisë nga njëra anë dhe Komisionit Europian e Vendeve Anëtare nga ana tjetër. Gjithashtu, mbyllja e çdo kapitulli bëhet përmes organizimit të Konferencës Ndërqeveritare.

Hapi V.

Negociatat përfundohen me marrëveshje ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së për të gjithë kapitujt. Deri në momentin që një gjë e tillë deklarohet formalisht nga krerët e Vendeve Anëtare të BE-së, është e mundur rihapja e kapitujve, në rastet kur nuk përmbushen angazhimet e ndërmarra. Pasi, i gjithë procesi i negociimit zhvillohet mbi bazën e parimit “për asgjë nuk është rënë dakord, derisa për çdo gjë të bihet dakord”. Me mbylljen e negociatave përcaktohet edhe data e mundshme e aderimit në BE.

Hapi VI.

Pas mbylljes së negociatave, hartohet Traktati i Aderimit që nënshkruhet nga palët. Traktati i Aderimit do të duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Shqipërisë, Parlamenti Europian dhe të gjithë parlamentet kombëtare të Vendeve Anëtare të BE-së. Siç ka vende që ja nënshtrojnë Traktatin e Aderimit referendumit popullor, praktika e deritanishme tregon se një gjë të tillë bën edhe vendi kandidat.

Hapi VII.

Pas përmbylljes së procedurave të ratifikimit, vendi bëhet zyrtarisht anëtar i BE-së.

Shpjegimi i mësipërm shpresoj që të ndihmojë sadopak për të kuptuar se, kushtëzimi demokratik do të na shoqërojë në çdo hap të procesit të integrimi europian. Për shembull, Mali i Zi ka nisur negociatat me BE-në në vitin 2012 dhe ka mbyllur përkohësisht vetëm 3 kapituj në 8 vjet. Serbia ka nisur negociatat me BE-në në vitin 2014 dhe ka mbyllur përkohësisht vetëm 2 kapituj në 6 vjet. Progresi i kufizuar në reforma nga njëra anë, dhe mungesa e optimizmit për procesin e zgjerimit nga ana tjetër, flasin qartë. Me metodologjinë e porsamiratuar, në rast të mospërmbushjes së standardeve, procesi mund të ngrijë, të kthehet në pikën e nisjes dhe fondet e alokuara nga BE të pezullohen.

Nuk duhet të ushqejmë asnjë iluzion se procesi i anëtarësimit në BE do të jetë i lehtë. Për çdo hap që do të hedhim nevojitet konsensus nga Vendet Anëtare të BE-së. Ndaj, nuk mund të pretendojmë cilësi dhe ritëm reformash pa bashkëpunim politik dhe mirëkuptim institucional. Na duhet të dalim nga labirinthi i vetmashtrimit që nuk prodhon rezultate të prekshme e të kontribuojmë secili sipas përgjegjësisë që na takon, për një Pakt për Europën, ku të përcaktojmë një herë e mirë shtyllat dhe rregullat e sjelljes politike për këtë proces jetik për fatet e vendit. Na duhet pronësi për reformat!