Aktualitet

Psikologu për vdekjen e 10 vjeçarit duke bërë video për TikTok: Moshë delikate, prindërit të jenë të kujdesshshëm

Psikologu për vdekjen e 10 vjeçarit duke bërë video

Vdekja aksidentale e 10 vjeçarit Nasir Ymeri në Shkodër, teksa po bënte një video për ta postuar në Tik Tok, ka ngritur shqetësimet mbi përdorimin e internetit pa kontroll edhe në mosha të mitura.

Për ngjarjen e rëndë të ndodhur parmbrëmë, ka folur psikologu Edmond Dragoti i cili thotë se në moshën e hyrjes drejt adoleshencës ka probleme, pasi fëmijët përpiqen të ndjekin më shumë tendencat. Ai iu bën thirrje prindërve kryesisht që të tregohen shumë të kujdesshëm për fëmijët pasi kjo moshë konsiderohet edhe më delikatja. Nasir Ymeri njihej në shkollë si një nxënës me nota të shkëlqyera, por njëkohësisht edhe shumë i përfshirë në rrjetet sociale.

Psikologu Dragoti:

Me aq sa u informova paraprakisht, është fjala për një fëmijë shumë aktiv dhe i suksesshëm në mësime, por veç të tjerash dhe shumë i përfshirë në rrjetet sociale. Probleme në këtë moshë, në moshën e hyrjes në adoleshencë janë një problem i vazhdueshëm. Bashkëmoshatarët përpiqen që të ndjekin tendencat e moshës, është një moshë shumë delikate dhe prindërit duhet të jenë të kujdeshëm, por ata i lënë jashtë kontrollit.

Është një moshë ku ato duan të krijojnë personalitetin. Prindërit dhe familja jo vetëm mundet, por e ka për detyrë që të jetë në kontakt të vazhdueshëm më fëmijët, të njohë interesat dhe dëshirat e tyre, duke i monitoruar duke e pasur në kontroll situatën. Kuptohet në disa raste prindërit nuk e kanë nivelin e duhur arsimor për të kuptuar, por duhet t'u qëndrojnë sa më pranë fëmijëve të tyre.

*Tiranapost.al.