Aktualitet

Publikohet rregullorja për mësimin në universitet: Ndryshim orari dhe masat për situatat kur dalin studentë e pedagogë të infektuar

Publikohet rregullorja për mësimin në universitet: Ndryshim orari

Mësimi për studentët nis më 2 nëntor dhe senati i Universitetit të Tiranës ka miratuar sot një rregullore për mënyrën sesi do të zhvillohen leksionet dhe seminaret gjatë vitit akademik 2020-2021.

Rregullat:

-Në rregullore parashikohet që kur një student del me COVID, i gjithë grupi të zhvillojë mësim online për 14 ditë.

-Universitetet do të kenë vetëm një hyrje dhe një dalje, të bëhet me orare dhe vetëm nga hyrja qendrore, ndërsa dalje do të bëhen me distancim. Që në hyrje do ketë një staf të dedikuar për matjen e temperaturës së studentëve.

-Në auditore distanca duhet të jetë nga 1.5-2 metra si dhe nuk do të lejohet konsumimi i ushqimeve. Nëse numri i studentëve do të jetë më i madh se hapësira e auditorit do të ndahen në nëngrupe duke e zhvilluar mësimin me turne.

-Mbajtja e maskës nga studentët dhe personeli akademik do të jetë e detyrueshme dhe në ambietet e fakulteteve do të jenë të afishuara masat e rregullores dhe masat e higjienës.

-Lëvizja e studentëve në ambientet e brendshme, duhet të jetë e përcaktuar në mënyrë që çdo zonë të ketë numrin më të vogël të individëve që lëvizin në të.

-Studentët do të hyjnë vetëm në sallën e përcaktuar për ta, do të përdorin vetëm tualetin në korridorin ku ndodhet salla e tyre, pa u takuar asnjë moment me studentët e grupeve ose programeve të tjera.

-Dezifektimi i auditoreve dhe zyrave do të kryhet çdo ditë.

-Çdo student dhe personel me shenja të sëmundjes këshillohet që të qëndrojnë në shtëpi dhe të informojnë sekretarinë mësimore.

-Kur dikush nga personeli akademik del pozitiv, do të karantinohen studentët dhe kolegët që kanë pasur kontakt. Studentët dhe personeli do të plotësojnë çdo ditë formularin e vetëdeklarimit të gjendjes shëndetësore.