Aktualitet

Punimet për aeroportin e Vlorës, Rama: Porta e tretë pas Tiranës e Kukësit. Do hapet aeroporti sezonal i Sarandës

Punimet për aeroportin e Vlorës, Rama: Porta e tretë pas

Aeroporti i Vlorës do të jetë “porta e tretë nga qielli” për vendin tonë, nënvizoi këtë të diel Kryeministri Edi Rama teksa lajmëroi se dhe një aeroport sezonal do të hapet në Sarandë për të mbështetur zonën në kulmin e sezonit turistik.

Gjatë fjalës së tij me rastin e hapjes së punimeve për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, Kreu i Qeverisë tha se industria e turizmit në mbarë botën synon turistët e ‘klasit të parë’, pra ata persona që shpenzojnë më shumë kur shkojnë diku me pushime.

“Nuk mjafton që të ndërtosh një infrastrukturë të bukur, apo një pistë, që këtu do vërë në dispozicion kapacitetin edhe për fluturime transoqeanike, por duhet të kesh edhe sinergji me aeroporte të tjera për të menaxhuar një numër shumë më të madh pasagjerësh dhe për të krijuar një sistem ku strukturat aeroportuale mbështësin dhe plotësojnë njëra-tjetrën.

Ky aeroport bëhet porta e tretë ndër katër porta nga qielli, që ne duam të hapim për Shqipërinë pas atij të Tiranës, atij të Kukësit dhe përpara se sa të nisë puna për portën e katërt, që është aeroporti sezonal i Sarandës, që do të funksionojë drejtpërdrejt dhe vetëm në mbështetje të sezonit të pikut turistik, por është një aeroport i super-domosdoshëm.

Po të kemi parasysh se sot, e gjithë logjika e industrisë së turizmit është se për të pasur jo vetëm sasi, por edhe cilësi në prurjet e turistëve dhe për të synuar jo vetëm masë turistësh, por edhe atë nivel të shpenzimeve nga ana e turistëve në territor, pra kategorinë A të turistëve, që janë ata që shpenzojnë më shumë kur vijnë për pushime, është e domosdoshme që pika e mbërritjes në vendpushim mos jetë më shumë se 45 minuta ose maksimumi 1 orë nga pika e zbritjes në vend. Kjo është arsyeja pse na duhen 4 aeroporte”, deklaroi Kryeministri.

Tiranapost.al