Aktualitet

"Pushofsh në qetësi o çun i mirë!" Reagime nga politika për ndarjen e parakohshme nga jeta të Gert Bogdanit

"Pushofsh në qetësi o çun i mirë!" Reagime nga

Ish-Deputeti i PD-së, Gerti Bogdani u nda sot nga jeta në moshën 44-vjeçare, pas një arresti kardiak.

Figurat e njohura politike kanë shprehur ngushëllime dhe keqardhje për këtë ndarje të parakohshme nga jeta.

Jorida Tabaku: Të qoftë I lehtë dheu Gert. U ndave shpejt dhe papritur prej nesh. Mendja dhe lutjet e mia janë tani për prindërit, Edlirën dhe fëmijët. Lutem që Zoti tu japë forcë dhe durim të përballojnë dhimbjen dhe mungesën tënde. U prehsh në paqe!

Majlinda Bregu: Sa të shkurtër e paske patur udhëtimin!
Nuk kam fjalë! Pushofsh në qetësi o çun i mirë!

Ervin Salianji:E pabesueshme, kjo ikje pa kohë Gert! Tronditës lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta i mikut dhe ish-kolegut Gerti Bogdani. Një nga djemtë më të mirë në Partinë Demokratike, një nga të rinjtë më energjik dhe kontributor i palodhur që nga Forumi Rinor dhe deri në Parlamentin e Shqipërisë! Ngushëllime të sinqerta Edlirës, familjes dhe miqve! Prehu në paqe Gerti!

Elisa Spiropali: Dhimbje e thellë për ndarjen nga jeta të kolegut tonë, ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, babait, bashkëshortit, birit, Gerti Bogdani. Na trondite me ikjen tënde, Gert! Ike shumë i ri, vetëm 44 vjeç! Ngushëllime nga zemra familjes! U prehsh në paqe! Të ndrittë shpirt!

Erion Veliaj: I keqardhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të Gert Bogdanit - ngushëllime bashkëshortes dhe familjes. U prehtë në paqe!

Ilir Meta: Thellësisht i trishtuar nga lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gert Bogdani. Gjatë gjithë angazhimit të tij politik, ai krijoi një model pozitiv për të rinjtë duke i nxitur të jenë pjesë e vendimmarrjes. I paharruar kujtimi i tij! Të prehet në paqe!

Bledi Çuçi: Lajm i kobshëm ndarja e papritur nga jeta e kolegut tonë dhe ish-deputetit, Gerti Bogdani. Zor të gjesh fjalë që zbusin peshën e rëndë të dhimbjes e të zemrave të bëra gur prej tronditjes. Ngushëllime bashkëshortes, fëmijëve e familjarëve të Gertit. U prehsh në paqe e dritë të pastë shpirti.

Lulzim Basha: Jam i tronditur nga lajmi për largimin e papritur e të parakohshëm nga jeta të mikut dhe bashkëpunëtorit tim Gerti Bogdani. Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes në këto orë të vështira. Mendimet dhe lutjet e mija janë me ta në këtë dhimbje të madhe.

Një shpirt i lirë dhe i përkushtuar ndaj të tjerëve, një politikan i talentuar dhe me vlera, Gerti shërbeu me pasion dhe integritet në funksionet e tij publike, duke nderuar Partinë Demokratike me përfaqësimin dinjitoz brenda dhe jashtë vendit.

Në këtë ditë zie, kur familja ka humbur njeriun e saj më të shtrenjtë, demokratët kujtojnë me respektin më të madh modelin e intelektualit konsensual dhe njërin nga përfaqësuesit e tyre më të përkushtuar, dhe unë një mik të paharrueshëm. U prehtë në paqe!