Aktualitet

Rakacolli: Kemi dyshime të forta për hyrjen e variantit delta në Shqipëri, por ende jo konfirmim

Rakacolli: Kemi dyshime të forta për hyrjen e variantit delta në

Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli e ftuar në “Report TV” është shprehur se dikasteri i saj dyshon se varianti indian “delta” i koronavirusit mund të jetë përhapur në vendin tonë duke u nisur nga fakti që ai është prezent në shtetet fqinjë si dhe nga një shtim i numrit të të infektuarve përgjatë dy ditëve të fundit.

Gjithsesi, Rakacolli nënvizon se deri tani bëhet fjalë për aludime, teksa ende nuk është regjistruar një rast i konfirmuar me variantin delta në territorin e vendit tonë. Ajo ka shtuar se vaksinimi është e vetmja rrugë për t’i dhënë fund pandemisë, e cila ende nuk ka përfunduar.

"Për variantin Delta kemi dyshime të forta, por nuk kemi akoma konfirmim zyrtar. Në analizën që bëhet specialistët thonë që ka sinjale që duhet të jenë të Deltës, por ne presim një konfirmim në laboratore që i bëjnë më të hollësishme këto analiza. Në këtë situatë, ku ka konfirmime në Kosovë, Greqi e Maqedoni, nuk ka sesi mos të ketë në Shqipëri, por gjërat duhet të jenë të konfirmuara që të publikohen.

Jemi në alert për të parë se çfarë do të ndodhë sepse pavarësisht situatës së qëndrueshme të këtij muaji të fundit, kemi një rritje të lehtë të rasteve. Por duhet të presim të shohim trendin se si do të shkojë puna. Indikatori më i rëndësishëm monitorues i situatës është numri i fataliteteve dhe i pacientëve në kujdes intensiv. Nuk mund ta themi që virusi është më i dobësuar në këtë periudhë. Nuk mund të gjykosh për agresiviteti e virusit me kaq të shtruar sa kanë qenë gjatë kësaj periudhe, por me analizat e bëra është shumë i dukshëm roli i vaksinave në këtë situatë. Ne kemi rritje rastesh, pak rëndësi ka se çfarë varianti është, e rëndësishme është që masat për të gjithë janë njësoj. Rritja e rasteve është shqetësuese dhe duhet të vrapojmë nëpër qendrat e vaksinimit, çdo qytetar duhet të vazhdojë masat dhe të rendi drejt vaksinimit. Pandemia nuk ka mbaruar"- ka thënë mes të tjerash zv.ministrja Rakacolli.

Tiranapost.al