Aktualitet

Edi Rama për çmimet e larta të Jugut: Vlonjatët do të bien në gropën e gjoksit të vet

Edi Rama për çmimet e larta të Jugut: Vlonjatët do të

Në takim me 61 kryebashkiakët e vendit, kryeministri Edi Rama ka folur për rritjen çmimeve në hoteleri dhe shërbime në Jug të vendit, gjatë këtij sezoni veror.

Rama tha se qeveria nuk mund t’i imponojë çmimet operatorëve turistikë, por i këshilloi bizneset në Jug që të ndalin rritjen e palogjikshme të çmimeve, pasi sipas tij që po ndodh në plazhet e rivierës shqiptare është një vetëvrasje në terma ekonomikë, pasojat e së cilës do të ndihen më shumë në sezonet e ardhshme turistike.

“Qeveria dhe bashkitë nuk vendosin çmimet, ky është sistemi që kemi zgjedhur dhe nuk vendosim dot çmimet as të hoteleve, as të restoranteve dhe as nuk i kontrollojmë apo imponojmë dot. Në Vlorë Ermal, në Sarandë Olti ku janë dy pikat e një rritje absurde të çmimeve është shumë e rëndësishme të flitet me operatorët e hoteleve dhe t’u thuhet që kjo është jo vetëm e padrejtë, por kjo është strategjikisht vetëvrasje për ata vetë. Duhet të flitet që rritja e palogjikshme e çmimeve vjen me një kosto shumë të lartë vitin tjetër. Se po të ishte kaq kollaj do e kishte bërë tërë bota këtë sport. E kanë bërë dhe kanë marrë mbrapsht mësime të hidhura. Para se të jetë vonë duhet të komunikohet që çmimet të jenë të arsyeshme.Shikoni Durrësin, Shëngjinin, Velipojën, janë stabël. Vlonjatët janë molla e këtij sherri sepse tani që Vlora është bërë kaq e kërkuar dhe konkurruese, gropa në gjoksin e vlonjatëve është hapur dhe bërë një gropë ku do bien vetë këta që i ngrenë çmimet në këtë far feje. Nuk më vjen keq për ta por është e padrejtë dhe e turpshme për të krijuar një klimë absurde kur sapo kemi hyrë në Champions League-n e turizmit të Mesdheut. Më mirë syri sesa nami. Vlonjatëve ju kanë dalë edhe sytë edhe nami dhe ju kanë dalë edhe trutë nga vendi atyre që kanë bërë ato hotelet. Duhet të zbresim pak me këmbë në tokë, nuk ua thua dot vlonjatëve, por të paktën të zbresim në kat të dytë.”