Rama: Jemi gati që përmes Censusit të zbulojmë sa shqiptarë jetojnë në vend
Kryeministri Rama ka paralajmëruar nisjen e Censusit të popullsisë. Sipas kryeministrit procesi do të kryhet në bashkëpunim me partnerët francezë, zviceranë dhe gjermanë. Ky census do të zbulojë sa shqiptarë jetojnë në Shqipëri, por edhe pronat që zotërojnë.
"Sot janë plotësuar kushtet që të vazhdojmë këtë proces. është i vështirë, për të mbledhur sipas planit të statistikave të gjitha të dhënat që janë nevojë absolute për shumë arsye. Për të identifikuar realisht, konkretisht sa shqiptarë dhe qytetarë të këtij vendi jetojnë në këtë vend sot dhe sa është numri i pasurive të tyre të patundshme. Kemi 2 faktorë që janë një garanci, 1-partnerët francezë, zvicerianë, gjermanë. Të njohur për shpirtin e tyre të saktësisë.
Me një fond të konsiderueshëm, ku 55% është vendosur në dispozicion nga qeveria shqiptare dhe pjesa tjetër nga këto partnerë. Faktori tjetër është teknologjia e lartë e cila na vjen në ndihmë të rëndësishme për të përdorur atë që përdoret në realitetet më të zhvilluara si mjet që garanton integritetin e shifrave në kohë reale", tha Rama.
Kryeministri foli më tej edhe për censuset e kaluara dhe dobësitë e procesit.
“Regjistrimi u bë me të meta. Hetimet që kemi bërë në prefektura dhe shumë katunde, as nuk janë regjistruar fare. Kështu shkruhet në librat e regjistrimit. Që nga ajo kohë janë bërë 11 censuse. Disa janë bërë në kohëra kryengritjesh, disa nën indoktrimimin e regjimit totalitar. Sot besoj se janë pjekur kushtet që të nisim një proces me kaq rëndësi dhe ta bëjmë sipas standardeve europiane. Pikë së pari për të identifikuar realisht se sa shqiptarë, sa qytetarë jetojnë në këtë vend sot dhe sa është numri i pasurive të tyre. E them se janë pjekur kushtet, pasi kemi dy faktorë që janë garanci. Partnerët francezë, gjermanë, apo dhe të gjithë ata që kanë shpirtin e saktësisë për eksperiencën e tyre të të qenit të saktë në numërim dhe me mbështetjen e Këshillit Europian me një fond të konsiderueshëm.
INSTAT ka një vijueshmëri të madhe, që është garanci në këtë proces. Është një nga institucionet e pakta në këtë vend që kur thua që është plotësisht i depolitizuar, askush nuk ngre dorën për të bërtitur ‘jo’. Eksperienca e INSTAT në Europë është eksperiencë e konsoliduar. Kemi dhe një ekspertizë ndërkombëtare në këtë proces kaq të ndërlikuar. Jam krenar që INSTAT sot është i çliruar nga politika, nuk merret më me qoka politike dhe nuk përgatit limonta me rritje dy-shifrore për zhvillimin më të shpejtë në botë, diku aty pak hapa pas Kinës. Nuk bëhet më fjalë që Shqipëria të fshikullohet për statistika të fryra. Kjo është punë që po përgatitet prej 4 vitesh. Regjistrimi do të bëhet në kohë reale, në bazë të të gjithë zonave të regjistruesve, falë përdorimit të teknologjisë.”, tha Rama.