Aktualitet

Rama lajmëron ligjin e ri: Ndihmë nga shteti për fëmijët e bluzave të bardha që humbën jetën nga COVID

Rama lajmëron ligjin e ri: Ndihmë nga shteti për

Kryeministri Edi Rama në fjalimin e mbajtur në takimin me infermierët në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Infermierëve ka bërë me dije se vendimi i parë i qeverisë së re do të jetë një ligj për mbështetjen nga shteti të fëmijëve që kanë humbur prindërit mjekë dhe infermierë në krye të detyrës.

Rama ka thënë se një çertifikatë dhe një pension për këta individë që i ka cilësuar “dëshmorë” nuk është i mjaftueshëm dhe fëmijët e atyre që kanë humbur jetën do të kujdesen deri sa të arrijnë moshën madhore.

“E vërteta është që ne kemi folur vijimësisht mes nesh për çdo rast tragjik humbjeje të jetës dhe kemi qenë herë-herë të tunduar për të bërë nderimet përkatëse, por gjithmonë në fund kemi mbetur të mendimit që nderimet duan bërë në fund të kësaj lufte. Prandaj i jam shumë mirënjohës Urdhrit të Infermierëve për këtë mundësi që na jep, që të nderojmë me përulësi dhe mirënjohje të thellë ata që nuk janë më mes jush dhe njëkohësisht ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t’iu përcjellë të gjithëve ju shprehjen më të sinqertë të respektit dhe mirënjohjes.

Ju e dini më mirë se kushdo tjetër që cilado dhe cilido prej jush e të gjithë atyre që s’janë këtu sot, mund të ishte njëri prej atyre që nuk e përballuan dot deri në fund luftën me armikun e padukshëm në trupin e tyre. Kjo e bën jashtëzakonisht të çmuar rezistencën tuaj dhe papërkulshmërinë e secilit prej jush në këtë luftë nervash të jashtëzakonshme, ku ju keni lënë familjet tuaja dhe jeni vetëprivuar nga kontaktet normale për të ruajtur familjet tuaja, që t’i përkushtoheni atyre që pa ju do ta kishin pasur të pamundur t’i mbijetonin këtij armiku.

Nga ana tjetër, duke parë fotografitë e kolegeve dhe kolegëve tuaj që humbën jetën në këtë përpjekje më duket vendi i duhur për ta përsëritur një angazhim, një vendim që e kam marrë që ditën e zgjedhjeve, që vendimin e parë të qeverisë së re ne do ta marrim për fëmijët e të rënëve në krye të detyrës mes bluzave të bardha. Këta të fundit nuk do të jenë vetëm, pasi me këtë ligj të ri që do të miratojmë për ta, deri në ditën e daljes së tyre në jetë të pavarur, do të kujdeset Republika e Shqipërisë për ta.

Është koha që jo vetëm t’i nderojmë këta njerëz të mirë dhe profesionistë të përkushtuar me titullin e dëshmorit, por të marrim përsipër të kujdesemi për fëmijët e tyre. Në mënyrë që bashkëshortët e tyre, të mbetur pa bashkëshort apo bashkëshorte, si rezultat i rënë në krye të detyrës. Të mos kenë vetëm certifikatën e varur në mur, por edhe një mbështetje të vazhdueshme konkrete dhe të pandërprerë për fëmijët deri ditën kur ata të dalin të pavarur në jetën e tyre”- ka thënë mes të tjerash kryeministri Rama.

Tiranapost.al