Aktualitet

Rama mesazh Helena Kadaresë për ditëlindjen: Historia e Ismailit nuk mund të kuptohet pa ty

Rama mesazh Helena Kadaresë për ditëlindjen:  Historia e Ismailit

Gruaja e shkrimtarit të njohur Ismail Kadaresë, Helena, sot feston 77-vjetorin e lindjes dhe në një status të veçantë kryeministri Edi Rama e përshkruan si të jashtëzakonshme.  

“Helena është për Ismailin një dhuratë po aq bujare e Zotit sa edhe gjenialiteti i tij krijues”, shkruan ndër të tjerash Rama, ndërsa shton se historia e Ismailit nuk do të kuptohet pa bashkëshorten.

Mesazhin e tij Rama e mbyll me një urim.

Postimi i plotë:

HELENA KADARE më kujton gjithnjë atë shprehjen e famshme, një burrë peshohet nga gruaja dhe biblioteka! E mbase gabohem, po pa Helenën biblioteka nuk do të kishte mjaftuar për t'ia mundësuar Ismailit fortesën e blinduar, mu në zemër të tiranisë komuniste, ku morën jetë krijesat e tij të hatashme, që çanë rrethimin tiranik e u ngjitën në majat e letërsisë së botës mbarë.

Më kujtohet vite e vite më parë, kur në netët e vona në bulevardin e zbrazët të Tiranës, Ismaili ecte me hijen e vet vezulluese në krah, Helenën, e cila ja ashtu njësoj si në shëtitjen e mbrëmjes, përmes boshllëkut që rrethonte qenien e tyre të dyfishtë, e ka shoqëruar Ismailin me vezullimin e përkushtimit të saj, pa e lënë kurrë një ditë të vetme vetëm, qysh nga dita e parë e njehsimit të tyre.

Është pak të thuash se Ismaili nuk hyn tek njerëzit e kollajshëm dhe pak është të thuash se Helena nuk hyn tek gratë e zakonshme. E bukur, e mençur, e lexuar, e dalë dhe e admiruar nga larg e nga afër, prej të panjohurve e të njohurve, po njëkohësisht e përulur ndaj fatit që e lidhi përmes një dashurie të zjarrtë me një xhind të fjalës së shkruar, që buzëqeshjet i ka si të dielat në kalendarin e vitit, Helena është një grua e jashtëzakonshme shqiptare.

Shtyllë e fortesës ku xhindi rrotullohet prej 57 vjetësh me daullet e shiut të tij, vatër që ngroh hapësirën ku ngrijnë e shkrijnë prurjet e botës së tij fshehtë, dritë që rri gjithnjë ndezur për t'u kujdesur që ai ta gjejë gjithnjë atë çka i duhet kur i duhet të kthehet nga arratitë në skutat e mendjes, portë që hapet bukur për të mikpritur vizitorë dhe sy që ndjek gjithçka, njësoj siç prej një jete ka ndjekur e sistemuar për botim në makinën daktilografike, çdo rresht të dorëshkrimeve të të shoqit, Helena është për Ismailin një dhuratë po aq bujare e Zotit sa edhe gjenialiteti i tij krijues.

Nëse si rregull gruaja është gjysma më e mirë e burrit, Helena është në atë çift të pandarë e të pandashëm ëngjëlli, që si edhe djalli jetojnë brenda tek i gjalli, e nëse historia do të flasë nesër vetëm për Ismailin, jeta e tij nga dje, sot e deri atëherë mes fantazisë e realitetit, nuk mund të kuptohet asfare pa Helenën.

Duke ia uruar ditëlindjen zonjës së rrallë, uroj që shëndeti, dashuria e gëzimet të mos i mungojnë kurrë, siç kurrë nuk i ka munguar vezullimi qenies së saj fisnike e të urtë.