Rama në intervistën për VOA: Beteja e SPAK ndaj pandëshkueshmërisë të vazhdojë. Flet edhe për Veliajn dhe rastin Xhaçka
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për Voice of America ku ka folur në lidhje me korrupsionin në vend, betejën e SPAK ndaj pandëshkueshmërisë, për Veliaj dhe për rastin Xhaçka.
Rama për SPAK
"Unë nuk jam një person i gjendur gafil dhe reformën në drejtësi e kam bërë unë në krye dhe Partia Socialiste e gjitha në mbështetje të kësaj reforme.
Kështu që, natyrisht që mua nuk më vjen mirë në aspektin njerëzor dhe personal për njerëz të cilët i njoh, me të cilët kam punuar, me të cilët kam bashkëpunuar nga më larg ose nga më afër, por kur bëhet fjalë për detyrën që kam, kur bëhet fjalë për misionin që udhëheq, kur bëhet fjalë për faktin se ky është një proces i dhimbshëm, përmes së cilit Shqipëria do të bëhet më në fund shteti, që nuk u bë kurrë dhe, falë të cilit në Shqipëri pandëshkueshmëria tanimë nuk është një mit, por është një monument i rrëzuar, dhe për herë të parë në historinë e Shqipërisë, qysh nga shpallja shtet më 1912-n, ka individë të lidhur me pushtetin politik, qofshin në radhët e shumicës që qeveris apo në radhët e shumicës që ka qeverisur, atëherë këtu është për t’u habitur me habinë e kujtdo qoftë, por unë personalisht ndjehem absolutisht i qetë, i qartë dhe i vendosur, akoma më i vendosur, që kjo betejë të vazhdojë dhe të mos ketë asnjë kompromis".
Rama për Veliaj
"Unë nuk komentoj raste individuale, nuk e kam bërë asnjëherë, përveçse kur ka pasur një vendim përfundimtar gjykate, sic ka qenë rasti i një shpifësi recidiv. Por mund të them vetëm që, fakti se cilido është i hetueshëm, nuk e bën cilindo të fajshëm, dhe nga ana tjetër, gjyqet nuk bëhen në media, por gjyqet bëhen në proceset ligjore dhe kushtetuese. Opinioni im dihet. Është i njohur botërisht. Përballë drejtësisë dhe përballë ligjit dhe përballë të drejtës së institucioneve të drejtësisë për të bërë punën e tyre, nuk janë emrat që caktojnë se për kë e bëjnë apo për kë s’e bëjnë punën, por janë faktet dhe janë liritë dhe të drejtat e të gjithëve, që duhen ushtruar dhe duhen vënë në zbatim, duke filluar nga liria dhe e drejta e drejtësisë, që të bëjë detyrën e vet".
Rama për rastin Xhaçka
Përfaqësuesit e shumicës tonë parlamentare lexojnë shumë mirë shqip. Vendimi i Komisionit është më shqip nuk mund të ketë. Tani, nëse pastaj do të hyjmë në lodra të natyrës juridike, atëherë e dimë shumë mirë që dy juristë të ndryshëm, për shkak të pozicionit të ndryshëm, mund të bëjnë dy interpretime të ndryshme. Por vendimi i Komisionit të Venecias është i qartë: nuk do të duhej fare të lindte nevoja, sepse nuk ekziston, është jashtë logjikës më elementare të funksionimit të një shteti demokratik, ku të treja pushtetet janë të pavarura nga njëra-tjetra, legjislativi, gjyqësori dhe ekzekutivi, që një gjykatë, qoftë edhe ajo Kushtetuese, t'u imponojë deputetëve se si duhet të ngrenë dorën. Kjo nuk ndodh."