Rama në zonat e përmbytura në Shkodër: Situata në terren krejt tjetër krahasuar me vitin 2010

Kryeministri Rama ishte sot në Shkodër, tek Harku i Bërdicës për të parë nga afër situatën e krijuar nga reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit.
Kryeministri Rama tha se situata e tanishme e krijuar nga këto reshje, nuk ka të krahasuar me vitin 2010, përballë prurjesh të ngjashme.
“Nga informacioni që mora unë para një ore, do ketë sërish reshje të tjera, fillojnë nga mesnata dhe vazhdojnë prapë gjatë natës, do ketë pak problem. Por ajo që është për të vënë duart në kokë, është shtrembërimi i qëllimshëm që i bëhet situatës nëpër kanale, nëpër portale, një tërbim edhe një kombinim i padijes me ligësinë që këtu është bërë një qamet i madh, ndërkohë që krahasuar me të pakrahasueshmen në fakt të 2010-ës, është një situatë e paimagjinueshme domethënë, s’ka krahasim,” u shpreh ai.
Ai kërkoi një angazhim më të madh të strukturave vendore të Shkodrës, për t’iu përgjigjur situatës në mënyrën e duhur. “Nga pikëpamja e reagimit institucional në kuptimin e gjithë strukturave që ka vënë shteti këtu, nuk kemi cfarë të diskutojmë, sepse këtu është një sistem dhe vihet në lëvizje e gjitha vetvetiu sipas niveleve të planit. Kanë bërë sakrificë si gjithmonë domethënë pa asnjë rezervë. Kjo është, padiskutim, ajo që duhet thënë. Sidoqoftë, prapë janë hektarë të përmbytur, por të mos harrojmë që në rast se në zonat e tjera ne kemi një ndryshim komplet të sistemeve të kanalizimeve, të kullimeve etj., këtu është bërë çfarë është bërë nga strukturat qëndrore, ndërkohë që në nivel të struktruave vendore me thënë të drejten kemi pasur gjithmonë problem dhe nuk dua fare as të fajësoj njeri, as të t’i vë gishtin njeriu, po faktikisht të thuash se kjo erdhi si rezultat se u përmbyt dynjaja, u bë qameti nga kaskada, ky është një skandal më vete,” tha ai.
Sipas tij, nga 12 mijë banorë të evakuuar në përmbytjet e mëparshme, sot janë evakuuar vetëm 22, ndërsa nga 2800 banesa të përmbytura, sot nuk ka asnjë shtëpi të mbuluar nga uji.