Rama nga Abu Dhabi: Një marrëveshje me Italinë dhe Emiratet Arabe do na bëjë eksportues të energjisë elektrike në BE

Kryeministri Edi Rama nga një vizitë zyrtare në Abu Dabi bëri të ditur se do të finalizohet marrëveshja trilaterale për lidhjen nënujore energjetike mes Shqipërisë dhe Italisë.
Kjo do të jetë në pronësi të trefishtë dhe synon të rrisë kapacitetin prodhues të energjisë.
Rritja e kapacitetit nënkupton pavarësi, por edhe mundësi për eksport në vendet e BE-së.
“Përshëndetje nga Abu Dhabi. Për pak do të vendosim një tjetër gur kilometrik, në rrugën tonë drejt pavarësisë energjetike. Së bashku me kryeministrin e Italisë, miken e shtrenjtë, Giorgia Meloni, me ftesë të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, një tjetër mik, finalizojmë marrëveshjen trilaterale për lidhjen nënujore energjetike mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe rritjen e prodhimit të energjisë diellore në Shqipëri. Lidhja do të ketë pronësi të trefishtë. Kjo shkon edhe në funksion të ambicies sonë për t’u bërë të pavarur nga importi por na jep edhe një rol së shpejti si eksportues në BE. Shqipëria është sot vendi me kapacitetin më të lartë të vetprodhuesve nga energjia diellore në rajon. Energjia e prodhuar nga dielli ka kaluar në zero përqind në afro 10 përqind të prodhimit tonë energjetik dhe plani ynë është arrijmë 30% brenda mandatit tonë të katërt. Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon që nuk e rriti çmimin e energjisë elektrike gjatë krizës europiane gjatë vitit 2022-2023 dhe që nga 1 shkurti Shqipëria do të bëhet zyrtarish i vetmi vend europian që ul çmimin e energjisë.”, tha Rama.