Aktualitet

Rama pas akuzave të Bashës për fshehjen e viktimave të Covid: Do u drejtohem me një mesazh shqiptarëve, është shkuar shumë larg

Rama pas akuzave të Bashës për fshehjen e viktimave të

Pas reagimit të mjekëve për akuzat e Bashës se po fshihet numri i vërtetë i viktimave nga Covid, kryeministri Rama bën një status në Facebook ku thotë se kreu i PD-së ka cënuar integritetin moral dhe profesional të mjekëve. Rama ka postuar videon e deklaratës së mjekëve me në krye Najada Çomon dhe thotë se nesër do u drejtohet shqiptarëve me një mesazh të drejtpërdrejtë: Sepse këtu është shkuar shumë shumë larg, përtej çdo caku të politikës së ulët ditore dhe këtu nuk është më fjala thjeshtë për llafet e një aktori të papërgjegjshëm, thotë ai.

Edi Rama:

Për akuzën e pashembullt të Lulëzim Bashës, e cila cënon drejtëpërdrejtë integritetin moral e profesional të mjekëve të vijës së zjarrit dhe nxit dhunë ndaj tyre, do t'u drejtohem nesër shqiptarëve me një mesazh të drejtëpërdrejtë, sepse këtu është shkuar shumë shumë larg, përtej çdo caku të politikës së ulët ditore dhe këtu nuk është më fjala thjeshtë për llafet e një aktori të papërgjegjshëm!

Sot u shpreh të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen time, profesoreshë Najada Çomos e të gjithë skuadrës së saj shembullore, duke u përulur me mirënjohje përpara stërmundimit të tyre të përditshëm prej nëntë muajsh me radhë, si edhe duke u thënë që historia e mjekësisë shqiptare do të flasë për ta kur Lulëzim Bashës e xhagajdurëve të tjerë të botës mizerabël të shpifjeve e të thashethemeve, t'u jetë harruar emri, nami e nishani!