Rama për Çështjen e Mbetjeve: Nuk janë të rrezikshme as në katalogët e BE-së
Në Kuvendin e Shqipërisë po mbahet interpelanca për mbetjet e rrezikshme, e thirrur nga grupi parlamentar i PD-së.
Kryeministri Rama, në fjalën e tij u shpreh se këto mbetje nuk janë toksike.
“A është kryer eksport i mbetjeve të rrezikshme? Sipas të dhënave publike në çdo deklaratë e dokument të paraqitur nga privatët, është e qartë se eksporti i mallrave në fjalë nuk është eksport i mbetjeve të rrezikshme.
Pika doganore ka të bashkëngjitur certifikatën e analizës së mallit nga vendet europiane. Në të dyja rastet, eksporti i mallrave, mallrat e deklaruara si okside hidrokside hekuri, janë eksportuar me të gjithë dokumentacionin përkatës përmes linjave kontinerike përkatëse. Janë magazinuar përkohësisht në vendet e BE ku askush nuk i ka penguar.
Më pas janë lejuar të vijojnë itinerarin.
Mallra me klasifikim të tillë nuk konsiderohen mbetje të rrezikshme as në katalogët europianë.
Aludimi për mosveprim është në rastin më të mirë alogjik ose në rastin më të keq, aludim psiko-patologjik”, tha Rama.
Çështja e mbetjeve të rrezikshme ka qenë në qendër të vëmendjes pasi dolën nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën.
800 tonë me mbetje toksike iu ndaluan linjës së transportit MAERSK për t’u çuar në destinacionin final.
Ka patur debate në lidhje me në lidhje me autoritetetet përgjegjëse që lejonin transportin e mbetjeve toksike, ku akuzat janë hedhur në drejtim të Ministrisë së Transportit dhe Mjedisit. Të cilat kanë reaguar duke thënë se nuk kanë dhënë asnjë autorizim.
Alarmi për transportin e mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u dha nga Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN), një organizatë eksperte në çështjet e drejtësisë mjedisore.
Zyrtarët tajlandezë deklaruan se nuk do t’i pranonin anijet në territorin e tyre dhe do ktheheshin mbrapsht.
Sipas Konventës së Bazelit, Traktati i Kombeve të Bashkuara që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme dhe të tjera, kontejnerët riatdhesohen në vendin e origjinës, pra Shqipëri.
Më pas edhe Operatori ndërkombëtar Maersk, përmes një deklarate tha se e gjithë sasia do të rikthehet në Shqipëri.