Aktualitet

Koncesioni i sterilizimit, një nga punët më të bukura që kemi bërë

Koncesioni i sterilizimit, një nga punët më të bukura

Kryeministri Edi Rama ka folur sot në një konferencë shtypi për arrestimet e fundit të SPAK në lidhje me koncesionin e sterilizimit.

Rama tha se “sterilizimi është një nga kontratat dhe punët më të bukura që kemi bërë”

“100 herë të kthehesha mbrapa 100 herë do mbështesja këto PPP që kemi bërë, sepse veprat janë ato që mbeten. Ndërkohë që sigurisht problemet e korrupsionit janë të lidhura me ata që kanë gjëra në dorë, jo me ata që s’kanë gjë në dorë. Kur ne bëmë Reformën në Drejtësi, e në dhjetëra apo qindra herë që unë kam folur, kur kam thënë që duam një drejtësi që të ecë vetëm drejt, nuk kam bërë propagandë. E kam ditur këtë që vjen. Nuk e kam ditur kujt që do i ndodhë po e kam ditur këtë që vjen. E rëndësishme është që sterilizimi është një nga kontratat dhe punët më të bukura që kemi bërë. Për këtë mos më pyesni mua, po mjekët në spitale. Kam marrë mesazhe nga profesorë apo mjekë të shqetësuar se mos kontrata do sekuestrohej që s’ishte rasti, sepse me atë kontratë ne kemi shpëtuar shëndetësinë në hallkën e vet më delikate, që janë ndërhyrjet në trupin e njerëzve. Tani nëse individë të caktuar kanë hy në gjynah me popullin e atdheun të cilit i shërbejnë do paguajnë,” u shpreh Rama.

Ai u pyet edhe në lidhje me ndryshimet e pritshme në qeveri.

“Do duhet të prisni dhe pak ditë se Asambleja do mblidhet shpejt,” ishte përgjigja e Kryeministrit.