Aktualitet

Kryeministri Rama reagon për mbylljen e shkollës turke: U mbush media me teori konspiracioniste. Arsyeja e vetme ishte Godina

Kryeministri Rama reagon për mbylljen e shkollës turke: U mbush media

A po thotë kryeministri që nuk do të ketë mbyllje të tjera të shkollave të fondacionit Gulistan (gylenit) në Shqipëri? Ndoshta. Në një reagim në Tëitter kryeministri Edi Rama rrëzon arsyet politike, duke folur për teori konspiracioniste, lidhjen e mbylljes së shkollës turke me një kusht të Erdogan, e kërkuar disa herë vitet e fundit.

Kryeministri thotë se arsyet janë vetëm teknike dhe lidhen me zhvendosjen e godinës që është bërë duke mos respektuar ligjin.

Kryeministri Rama ndodhet në New York prej disa ditësh. Nesër pritet të mbajë një fjalim në OKB.

"Pas çdo vendimi kërkohet një qëllim tjetër nga i vërteti dhe bombardohet publiku me lajme të rreme e me teori konspiracioni! S’ka asgjë të tillë dhe asnjë qëllim tjetër përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një liçence shkolle si plot të tjera më parë.

Të shesësh godinën ku ke lejen e aktivitetit shkollor dhe të hapësh aktivitetin diku tjetër, pa marrë lejen sipas ligjit, pa plotësuar kriteret e pa përmbushur standartet e kërkuara ligjërisht, është një shkelje për të cilën ligji parashikon heqjen e liçencës.

Përdorimi i fëmijëve pastaj për të fshehur fajin karshi ligjit, prindërve dhe vetë nxënësve, duke luajtur rolin e viktimës së qeverisë, kur në fakt je verifikuar jo një po dy herë në shkelje, tregon ndërgjegje të ulët në raport me misionin e lartë të një vatre edukimi", shkruan Rama.