Aktualitet

Rama për protestën e fermerëve: Janë të painformuar! Pse e hoqëm rimbursimin

Rama për protestën e fermerëve: Janë të painformuar!

Në prezantimin e Buxhetit të 2022-shit, përpara fermerëve, kryeministri Rama ka sqaruar heqjen e rimbursimit me 6%.

Erion Braçe e ngriti këtë shqetësim edhe në podcastin me Mira Kazhanin për Tiranapost.

"I marrin bujqit si njerëz që merren me punë të rëndomta, që s`kanë ide. O kanë ide ata, o të bëjnë llogari bujqit, veçanërisht në Myzeqe, veçanërisht në Berat, në Fier, në Lushnje dhe në Divjakë, o nuk të bëjnë llogari kurrkund. Gjejeni ekonomistin (ua thashë në Komisionin e Ekonomisë), kush është më i miri nga ju? Edhe nga ata që i kishte sjellë ministrja e Financave atje, kush është më i miri nga ju le të vijë dhe të ulet në tavolinë nesër në një klub fshati atje. S`ka asnjë problem, nuk ka as Covid atje, mund të ulemi në një klub fshati dhe ta bëjmë këtë llogarinë e TVSH-së", tha Braçe për Tiranapost.al.

Edi Rama është përgjigjur nga Farka:

“U jam mirënjohës atyre që kanë ardhur na Dibra, apo nga pjesa e jugut të vendit. Dua të prek disa elemente pa hyrë në të gjitha ato që parashtroi ministrja. Dua ta nis nga elementi që ka krijuar konfuzionin e pragut të miratimit të buxhetit, i materializuar edhe në disa protesta të cilat janë legjitime. Por për të cilat besoj se ata që kanë marrë pjesë në një masë të madhe janë të keqinformuar. Çfarë ka ndodhur në fakt. Është e thjeshtë në shifra. Pse ne kemi vendosur që ta heqim atë rimbursimin e 6% dhe çfarë do të bëjmë me atë masë parash që përdorej për të. Këto janë të nevojshme për të kuptuar se është hedhur një hap para dhe jo një hap pas. Duke vendosur atë skemë rimbursimi 6% kemi synuar që përmes shfrytëzimit të kapacitetit logjistik të grumbulluesve, të çojmë paratë të fermeri, në raport me prodhimin e grumbulluar. Shifra në fund fare ka rezultuar modeste, por një shifër e kontrolluar nga disa grumbullues të mëdhenj dhe jo të fermeri.

Duke qenë se në këtë fazë, në këto vite sistemi i grumbullimit ka përfituar nga mbështetja e qeverisë, nga AZHBR, dhe duke qenë se grumbulluesit janë një forcë në treg, besoj se grumbulluesit do ta mirëkuptojnë këtë që po them. Jo vetëm që nuk jemi kundër tyre, por kemi bërë çmos që t’i mbështesim. Ajo shumë që në fund fare ka rezultuar rreth 9 mln dollarë , të transferohet drejtpërdrejtë në buxhetin e bujqësisë dhe në vend se sa të shpenzohet përmes një sistemi jo transparent dhe të paqartë rimbursimi, ku pjesa dominonte e këtyre kontrollohet nga grumbulluesit, të shkohet te buxheti, duke iu dhënë buxhetit të ministrisë së Bujqësisë. Një sektor, i cili gjatë një viti prek shifrën e 3.5 mld sa mund të impaktohet nga vetëm 9 mln. Flas për 3.5 mld dollarë. Me këto 9 milionë ne mund të bëjmë shumë duke ia shtuar masës së financimit të bujqësisë, duke synuar produktivitetin", tha Rama.