Aktualitet

Rama pozicionohet krah gazetarëve për “nxjerrjen e sekreteve hetimore”: Prokuroria ta kërkojë fajtorin tek burimi, jo tek lajmëtari

Rama pozicionohet krah gazetarëve për “nxjerrjen e sekreteve

Kryeministri Rama po mban fjalën e tij në Konferencën e VI Kombëtare për të Drejtën e Informimit. Rama është pozicionuar krah gazetarëve duke u shprehur se e drejta e informimit nuk mund të quhet “sekret hetimor”. Konkretisht u referohet të gjitha rasteve kur gazetarët dhe mediat zbulojnë informacione të konsideruara “sekret hetimor”, duke kërkuar nga Prokuroria gjetjen e fajtorit tek burimi i këtij informacioni dhe jo tek lajmëtari (pra gazetari në këtë rast).

"E drejta e informimit nuk është sekret hetimor, përfitoj nga rasti se shoh avokaten e popullit rastin e një gazetari që u keqtrajtua për nxjerrjen e sekretit hetimor. Prokuroria iu vu mbrapa disa gazetarëve dhe për mua gazetarët nuk nxjerrin sekret hetimor, nuk i disponojnë, sekretet i disponojnë prokurorët kur gazetarit i bie në dorë sekreti nuk është më detyrim i tij të ruajë sekretin dhe nuk shkon drejt tij hetimi por drejt atyre që ia dhanë atij është elementare, që në Kanun shkruhet e zeza mbi të bardhë lajmësi nuk ka faj, kush e prodhoi lajmin ose kush ia dha atij është burimi me të cilin duhet të merresh. E them për të nënvizuar që informacioni mbi gjithçka që institucionet publike bëjnë dhe mbi gjithçka që ekziston me vulë dhe firmë dhe nuk përfshihet në hapësirën e ngushtë që ligji e përcakton, ku hyn edhe sekreti hetimor është pronë publike," tha Rama.