Aktualitet

Rama reagon pas arrestimit për çaj mali të piktorit shqiptar në Britani: Kjo situatë është dëshpëruese

Rama reagon pas arrestimit për çaj mali të piktorit shqiptar

Një incident i ndodhur në Britaninë e Madhe me piktorin shqiptar Agim Agaj, i cili u arrestua vetëm për shkak të një keqkuptimi pasi efektivët ngatërruan çajin e malit me marjuanë, ka nxitur sot reagimin e Kryeministrit Edi Rama. Ai përmes një postimi në ‘Tëitter’, Rama kërkon që autoritetet britanike të mbajnë përgjegjësi për këtë situatë.

“Ju bëj thirrje ta lexoni të plotë dhe i falënderoj shumë autorët e asaj historie të trishtë, jo vetëm në emër të Agimit dhe shqiptarëve, por edhe për të vënë në dukje vështirësitë me të cilat përballen njerëzit e guximshëm që kanë emigruar në këtë vend të madh. Shqipëria është plotësisht e përkushtuar për të ofruar gjithçka që është e nevojshme për një luftë të suksesshme kundër rrjeteve kriminale. Megjithatë, nëse Britania nuk mund të tregojë respekt për komunitetin shqiptar me veprime në vend të fjalëve, si mund të presim bashkëpunim të suksesshëm midis qeverive tona?”, shkruan Rama.

53-vjeçari shqiptar, Agim Agaj, me profesion piktor u mbajt për 15 orë në polici pasi u arrestua nga efektivët britanikë të cilët i gjetën në makinën që po drejtonte çaj mali dhe e ngatërruan me marjuanë. Ai u lirua më pas pasi nuk kishte asnjë provë.

Ndërkohë, Rama ka ngritur edhe një pyetje për homologun e tij Rishi Sunak, për të cilin shkruan se nuk e di se si do të ndihej ai nëse një situatë e tillë do t’i ndodhte një shtetasi britanik në vendin tonë.

“Të gjithë e dimë përgjigjen, por ajo që nuk jam i sigurt është se si miku im Rishi Sunak do të përballej nëse një shtetas britanik do të arrestohej në Shqipëri për bartjen e çajit anglez dhe do të akuzohej si tregtar droge! Kjo situatë është dëshpëruese dhe persekutorët e Agimit duhet të mbajnë përgjegjësi! – vijon Rama.