Aktualitet

Rama shpall "Dëshmorë të Atdheut" 4 protestuesit e vrarë! Në rrugëtimin 10-vjeçar ata na ndikuan në dy drejtime

Rama shpall "Dëshmorë të Atdheut" 4 protestuesit e

Kryeministri Edi Rama rikujtoi 4 të vrarët në protestën e 21 janarit të 10 viteve më parë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" dhe deklaroi se qeveria ka vendosur që 4 viktimat  Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj të shpallen “Dëshmorë të Atdheut”.

“Në këtë 10 vjetor të 21 janarit qeveria ka vendosur të japë titullin e lartë të dëshmorit të atdheut për të katër dëshmorët e protestës paqësore.

Njëkohësisht sot është dita për të bërë një refktim pas këtij rrugëtimi 10 vjeçar në përpjekjen për të kujtuar bashkarisht se si ajo ngjarje tragjike dhe 4 jetë të pafajshme të humbura kanë ndikuar historinë tonë të re në dy drejtime themelore. Nga njëra anë në drejtim të marrëdhënies së qeverisë me protestën dhe nga ana tjetër në drejtim të transformimit të sistemit të drejtësisë. 21 janari përtej pagëve që hapi në shpirtin e familjeve të katër dëshmorëve dhe përtej plagës që hapi në shoqërinë tonë shërbeu për të nxjerre në sytë e të gjithëve llumin e politikës dhe të drejtësisë. Të politikës si mjet në funksion të pushtetit të kthyer në qëllim në vetvete dhe të drejtësisë si një mur i pakapërcyeshëm për njerëzit e këtij vendi dhe shoqërinë tonë në përpjekjen e trasformimit në një shtet funksional mbi bazën e të drejtave dhe lirive të njeriut. Sot kemi të gjitha arsyet për t`u përulur para kujtimit të katër dëshmorëve. Humbja e jetës së tyre vuri një vijë të kuqe për të gjithë duke bërë të pakapërcyeshme forcën e shtetit në raport me lirinë për të protestuar. Jam krenar që ne si pjesë e asaj përpjekje me marrjen e përgjegjësisë së qeverisjes së vendit kemi qenë mishërimi një vullneti të palëkundur për të garantuar lirinë dhe të drejtën për të protestuar dhe në situata shumë herë më dramatike nga pikëpamja e kërcënimit të fuqisë së protestës në tejkalim të të gjithë asaj kornize që përcakton kushtetuta dhe ligji për të protestuar kemi garantuar një reagim proporcional duke siguruar që në radhë të parë jeta e protestuesit të mos vihet në rrezik”, tha Rama.