Rama sqaron pse nuk postoi për fitoren e Zvicrës me Serbinë në botëror

Kryeministri Rama i ka mësuar të gjithë që të kuptojnë çdo gjë rreth tij nga postimet që ai bën në median sociale. Fakti që Rama nuk postoi sipas disave një foto me Shaqirin dhe Xhakën që bën shqiponjën pas fitores me Serbinë, është komentuar ndjeshën. Kryeministri vetë është përgjigjur duke thënë sot në konferencën e shtypit:
“Nuk kuptoj realisht se pse duhet të flisja. Unë nuk jam kryeministri i Zvricrës. Jam kryeministri i Shqipërisë. Nëse do të ndaja nga kombëtarja e Zvicrës dy qytetarë zviceranë që kanë kombësi shqiptare, që janë shqiptarë që ne i shohim me dashuri dhe padiskutim me simpati të veçantë, për një ndeshje, çfarë do bëja? Do t`i përdorja ato dy figura për politikë dhe në një mënyrë aspak dinjitoze, se është ekipi kombëtar i një shteti tjetër. Do t`i fryja zjarrit të një nacionalizmi, më falni për shprehjen, qesharak. Nacionalizmi është gjithmonë sa qesharak, aq edhe i rrezikshëm. Nuk e shoh fare të nevojshme dhe mendoj që kush e bën këtë, nuk bën gjënë e duhur. Si mund të përdoren dy figura si mish për top për një lojë luftash ballkanike”, tha Rama.
Pas qëndrimit të Ramës disa faqe në mediat sociale publikuan dy pastime të vjetra të 2018-ës ku Rama mbështeste Xhakën dhe Shaqirin në një rast të ngjashëm.
Rama këtë herë reagoi në Twitter ku shkruan:
“Janë ca kinse patriotë më të mëdhenj se të tjerët e disa kinse të zgjuar më shumë se të tjerët, që fjalëve të mia sot u kundërvihen me postimet e mia dikur për e Xherdanit e Granitit! U qëndroj 100% të dyjave dhe ata që nuk duan ta kuptojnë psenë nuk kam se si i ndihmoj”, tha Rama.