Aktualitet

Rama sqaron si do të funksionojnë satelitët që do kontrollojnë krimin

Rama sqaron si do të funksionojnë satelitët që do

Kryeministri Rama ka sqaruar sot deklaratën e djeshme në foltoren e Kuvendit ku tha se Shqipëria do të dërgojë satelitë në hapësirë.

“Kini durim, qeshni sepse e qeshura shëndet është dhe mirë i bën të gjithëve. Shqipëria do të ketë satelitë dhe do i ketë shpejt për të forcuar kontrollin mbi territorin e saj, do ketë dhe dronë inteligjentë që do na ndihmojnë për ta çuar vendin në një nivel tjetër nga aspekti i administrimit të territorit të vet. Këto janë mjete të një teknologjie të re që garantojnë një monitorim të territorit për shumë gjëra, që nga kufijtë, tek ndërtimet që kryhen në territor, tek monitorimi i informacionit që i duhet strukturave të shtetit për luftën kundër trafiqeve. Patjetër për të çuar drejt zerimit përpjekjet për kultivimin e bimëve narkotike, për të mbjellat e bujqësisë dhe natyrisht për të luftuar në mënyrë cilësore krimin e organizuar. Duke pasur në dispozicion këtë arsenal për të zhvilluar marrëdhëniet në territor që shpesh herë kompromentohen nga inspektorë, punonjës të korruptuar. Nuk do bëjmë asgjë që ndodh për herë të parë në Shqipëri. Nuk ka nevojë të jesh një vend super i zhvilluar për të bërë një kapërcim epokal. Shqipëria do i ketë satelitët e saj, do i ketë shpejt, ashtu sikundër dhe dronët inteligjentë dhe do rrisë në mënyrë eksponenciale kapacitetet e mbrojtjes së territorit.

Përdorimi i mjeteve, për çështje që kanë të bëjnë me punët civile të vendit dhe luftën kundër krimit të organizuar. Nuk do jenë për çështje ushtarake.

Po t’ju them që satelitët lidhen dhe me ujin 24 orë ça do thoni ju? Të gjitha bashkë, ideja meqë s’kemi ujë 24 orë në të gjithë territorin, nuk duhet të kemi satelitë për territorin është e gabuar. Do kemi kontroll të plotë dhe mbi mjedisin. Ne na duhen sy inteligjentë të një kapaciteti që i tejkalon kapacitet njerëzore për të pasur në kohë reale informacion për kontrollin e territorit tonë”, deklaroi Rama.