Aktualitet

Rama tërheq publikisht padinë për shpifje ndaj Haradinajt

Rama tërheq publikisht padinë për shpifje ndaj Haradinajt

Në një konferencë për mediat nga aeroporti “Adem Jashari” i Prishtinës, kryeministri Rama bëri të ditur se do të tërheqë padinë për shpifje ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

"Ramushit i kam kërkuar takim si të gjithë të tjerëve për ta vizituar në selinë apo shtëpinë e tij. Për më tepër që duhet të diskutojë për këtë se është shumë e madhe se Ramushi, se unë, se implikimet e kësaj historie mund të jenë marramendëse për Kosovën, dhe i kam thënë që do bëj një konferencë ku do ta tërheq padinë, jo se është e vogël për mua, por është shumë e madhe ajo që sot duhet të na bashkojë. Me padi pa padi, me shpifje, pa shpifje, për mua është një prej figurave historike dhe ka vendin e vetë në histori dhe nuk e heq askush, sado kryeministër i keq të jet".

Para se të jepte lajmin për tërheqjen e padisë, kryeministri Rama bëri një sqarim për paditë për shpifje që ka në proces:

“Unë kam 22 padi për shpifje kjo padi që kam bërë këtu për Ramushin ka bërë më shumë zhurmë se është e pazakontë, nga një kryeministër një kryeministri, por janë 22 të tilla me figura politike, që unë i kam në proces, nuk janë bërë publike, por dëshiroj që të kem mundësinë që djalit tim, t’ia lë një tufë fletësh që t’i ketë dhe ta ndihmojë të kuptoj si mund t’i interpretojë lajmet e pafundme që mund të ndeshë me siguri kur të hyjë në ‘Google’ dhe të shkruajë: Edi Rama, im atë. Dhe kur të lexojë për një monstër të të gjitha të zezave të mundshme të imagjinueshme dhe kur ta ketë apo mos ta ketë mundësinë të më pyesë mua vetë, sepse kështu është jeta. Kjo është arsyeja pse kam 22 dhe vazhdoj të bëj dhe të tjera, i zgjedh me kujdes”.